Maqedoni

Rajoni i Pollogut, Zvicra ka ndihmuar në parandalimin e vërshimeve

06.12.2024 17:09

Regjioni i Pollogut, vitet e fundit është cak i vërshimeve sa do pakë ka reshje të shiut...

Regjioni i Pollogut, vitet e fundit është cak i vërshimeve sa do pakë ka reshje të shiut, ku përmbytjet janë të pashmangshme nëpër qytet. Qeveria zvicerane në bashkëpunim me  ministrin e Mjedisit  dhe autoritet lokale ka investuar në disa pika më kritike, me qëllim parandalimin nga vërshimet.
 
“Ngjarjet tragjike të vitit 2015 kanë lënë vërtetë kujtime të dhimbshme. Shteti zviceran është solidarizuar me popullatën e këtij rajoni, prandaj edhe filloi të mbështesë aktivitetet për qëndrueshmërinë ndaj përmbytjeve. Gjatë 7 viteve të kaluara kemi përkrahur këto projekte në vlerë prej 12 milionë euro dhe rezultatet janë të dukshme, sepse kemi ndërtuar infrastrukturë për të parandaluar vërshimet. Ky plan po ashtu kishte për qëllim limitimin e dëmeve nga vërshimet, por edhe përgatitjen e popullatës për evakuim të sigurt, në rast të vërshimeve.”, - deklaroi ambasadorja e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Veronik Ulman.
 
“Fillimisht dua të falënderoj gjithkënd që ndihmoi në suksesin e projektit, banorët dhe partnerët tanë që ndihmuan dhe përkrahën këtë projekt. Me këtë projekt, ne kemi forcuar infrastrukturën kundër vërshimeve me disa lloje intervenimesh si konstruktim të lumenjve në Bogovinë e Shipkovicë, pastrimin e Vardarit në Gostivar e Jegunoc, si dhe janë stabilizuar zonat erozive afër 42 hektar në tërë territorin. Po ashtu kemi përforcuar kapacitetet për përballje me vërshimet.”, - theksoi përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorian.
 
Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, tha se rajoni i Pollogut është i ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe kërkon një qasje të integruar që përfshinë menaxhimin e ujërave, planifikim urban, edukimin e komunitetit dhe mbështetje teknologjike.
 
“Rajoni i Pollogut, që përfshin një numër të madh të fshatrave dhe qytetin e Tetovës dhe Gostivarin, ka një trend të ndryshueshëm dhe është i ekspozuar ndaj përmbytjeve, e sidomos gjatë periudhave të shirave të shumta dhe stuhive të papritura, andaj edhe kërkon një qasje të integruar që përfshin infrastrukturën, menaxhimin e ujërave, planifikimin urban, edukimin e komunitetit dhe mbështetjen teknologjike. Projektet janë zbatuar në bashkëpunim me Qeverinë e Zvicrës dhe donatorë të tjerë. Ky partneritet ka siguruar një qasje të bashkërenduar për të adresuar dhe zgjedhur problemet që kanë të bëjnë me përmbytjet dhe menaxhimin e rrezikut. Atë që sot dua ta potencoj është në raste të rralla  ku veprojmë në mënyrë preventive për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe jo at-hok pasi ndodhin fatkeqësitë.”, - u shpreh ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
 
Përndryshe nga komuna e Tetovës thanë se ka një projekt për ndërrimin e një dige tek shtrati i lumit në Poroj, por jo edhe për ndërtimin e digave në përroin e Reçicës së vogël, ku këta dy pika janë më kritike në rajonin e Tetovës.
 
VISAR SADIKI