Botë
Partia e Lirisë, protestoi para SPAK-ut kundër arrestimit të Metës
06.12.2024 17:31
Me një banderolë të madhe ku shkruhej “Jo drejtësi me regji”...

Me një banderolë të madhe ku shkruhej “Jo drejtësi me regji”, Partia e Lirisë protestoi para SPAK-ut, kundër arrestimit të Ilir Metës, në burg që prej 21 tetorit.
Në këtë protestë të parë të tyre, simpatizantët e Ilir Metës, shpalosën pankarta kundër drejtësisë së re e me thirrje kundër kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.
“SPAK-u është i provuar se është institucion mashtrues, montues, procese të rreme, me zero fakte penale, dokumente dhe zero prova ndaj liderëve kryesorë të opozitës vetëm për llogari të narkomafias kombëtare. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, i lirive dhe dinjitetit njerëzor. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës përmes proceseve hetimore të montuara.”, - deklaroi Tedi Blushi.
“Sot Meta mbetet në izolim ekstrem pa fakte, pa prova dhe me zero akuza penale. Kur kjo ndodh me një personalitet si Meta, ish-president, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me qytetarin e thjeshtë të këtij vendi.”, - theksoi Erisa Xhixho.
Me gjithë sulmet ndaj SPAK-ut, avokati i Ilir Metës njoftoi se ka depozituar në këtë institucion një kallëzim penal për ministrin e Brendshëm, si dhe trupën policore që arrestoi Metën mesditën e 21 tetorit.
LULJETA NDOKA
