BDI: Toshkovski ka humbur besimin të dorëhiqet

07.12.2024 18:06

BDI i ka reaguar ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovskit...

BDI i ka reaguar ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovskit ku ky i fundit ka adresuar kritika se në ngjarjet e 28 nëntorit është përfshirë një ish - kryetar komune nga rradhat e BDI-së. Për BDI-në, kjo deklaratë është e papranueshme, ironike, dhe përpjekje për të devijuar vëmendjen nga dështimet e tij dhe të MPB-së. 
 
BDI vlerëson se Toshkovski vazhdimisht po tregon mungesë të profesionalizimit dhe kredibilitetit. 
 
BDI këmbëngul që Toshkovski të jap dorëheqje të mënjëherëshme dhe kërkon Kuvendi të mbështesë inciativën e tyre për interpelancë ndaj tij. 
 
“Ky është i njëjti ministër që, një ditë para se të arrestohej një person me aftësi të kufizuara mendore si autor i djegies së makinave në Kumanovë, deklaronte publikisht se kishte “të dhëna operative” për një grup të sofistikuar të organizuar që qëndronte pas sulmit. Si mund të besohet një ministër që ka dëshmuar një paaftësi kaq të theksuar për të trajtuar situata të thjeshta dhe që vazhdimisht shpërndan informacione të pavërteta? Tani, ky i njëjti ministër guxon të bëjë deklarata të papërgjegjshme duke përfshirë një ish-kryetar komune nga BDI-së në organizimin e incidenteve të Ditës së Flamurit, pa asnjë provë konkrete, thjesht për të mbuluar dështimet e tij në menaxhimin e sigurisë publike dhe rritjen dramatike të kriminalitetit në vend”, thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
VLEN: BDI po manipulon të vërtetën
Kanë reaguar edhe nga Koalicioni Vlen, ku akuzojnë BDI-n se ata po gënjejnë dhe manipulojnë me të vërtetën lidhur me incidentet që ndodhën gjatë kremtimit të festës së flamurit. 
VLEN thotë se BDI ka keqpërdorur të rinjtë shqiptarë duke tentuar të tensionojë situatën në vend. 
 
“Hetime preliminare policore po tregojnë se në këtë ngjarje është i përfshirë një ish kryetar komune nga rradhat e BDI-së. Opinioni për çdo ditë po e sheh të ftyrën e vërtetë të BDI-së, u dëshmua edhe me demaskimin e rastit të djegjes së objektit dhe të disa veturave në Kumanovë, ku MPB dhe zyrtarët policor, me profesionalizmin më të lartë, dhe  në kohë rekorde, zbardhen këtë rast dhe arrestuan personin e dyshuar i cili doli të jetë përkrahës i tyre” - deklaroi Zëdhënësi i Koalicionit "VLEN", Driton Sulejmani. 
 
Përveç akuzave drejtuar BDI-së, Toshkovski në intervistën e dhënë për TV “Sitel” tha se me vëmendje të madhe po ndiqet situata në vend në vigjile të senacës së Gjykatës Kushtetuese. I pyetur nëse ka nevojë për t’u siguruar më shumë ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese më 11 dhejtor Toshkovski u përgjigjë se një gjykatës është nën mbikqyrje të veçantë nga MPB-ja. (Rexhep Qamili, TVM2)