Shqyrtimi i ligjit për gjuhët, Mickoski: Të mërkurën nuk ndodh asgjë

08.12.2024 17:07

Tre ditë para fillimit të debatit për Ligjin për Gjuhët...

Tre ditë para fillimit të debatit për Ligjin për Gjuhët në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Hristijan Mickoski siguron se në seancën e Gjykatës Kushtetuese nuk do të ndodhë asgjë. Sipas tij, BDI-ja është aktori që bënë ndarje dhe merret vetëm më çështje etnike.

Sipas Mickoskit askush nuk mund të përzihet në punët e Gjykatës Kushtetuese, sepse është organ i pavarur. Pohon se për këtë çështje biseodn me partnerin e koalicionit qeveritarë VLEN.

“Kjo është procedurë në proces në Gjykatën Kushtetuese dhe tani kemi një situatë në të cilën as ne as kushdo tjetër duhet të intervenojë te Gjykata Kushtetuese. Edhe ata e dinë mirë, pra, BDI-ja  sepse 20 vjet e më tepër vënduan gjyqtarë kushtetues. Edhe ata e dinë se asgjë s’do të ndodhë të mërkurën, kur dihet se cilat janë procedurat e Gjykatës Kushtetues e kështu me rradhë. Do të dalin në opinion dhe do të thonë: ja ne  bëmë presion dhe  dhe për këtë asgjë nuk ndodhi. Të mërkurën s’do të ndodhë asgjë, sepse  ka procedura, seanca përgatitore  e kështu me rradhë. Ata sërish i keqpërdorin shqiptarët, edhe maqedonasit edhe të tjerët i maltretojnë me  qëllimin për ndarje dhe të tërheqin vëmendje”- tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Mundësia e kthimit të ligjit në kuvend, Mickoski: Nuk mund të supozojmë, ka procedura

Mickoski me përgjigje nëse Ligji mund të kthehet në Kuvend i cili në afatë prej 6 muajve, do të duhet të harmonizojë me kërkesat e Gjykatës. Kërkon që të presim derisa të vijë vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo procedurë ka filluar dhe duhet të ketë fund si do që të jetë ai fund. Tash, ne nuk mund të themi se s’bën.Vetëm ata që e kanë dorëzuar mund ta tërheqin ose Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë si jorelevante, e më pas ne mund të flasim nëse, çka si dhe të hymë në zonë të parashikimeve. Deri atëherë ju lutem që të mos brengoseni” – deklaroi Mickoski.

Mexhiti: Gjuha shqipe nuk kontestohet

Ka reaguar edhe zëvendeskryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili tha se gjuha shqipe nuk është cenuar, por pasuria e paligjshme e klikës korruptive të BDI-së e fituar në kurriz të shqiptarëve.

“Gjuha shqipe nuk është e cënuar, pasuria e paligjshme e klikës korruptive të BDI-së e fituar në kurriz të shqiptarëve PO! Gjuha shqipe nuk do të kontestohet, milionat e oligarkëve të BDI-së PO! Gjuha shqipe është e mbrojtur, paratë e kumarit dhe bixhozit të klikës së korruptuar të BDI-së JO! Për të gjithë ata që këtyre ditëve kanë ulëritur si të tërbuar për të frikësuar shqiptarët dhe për të kërcënuar me destabilizim kam një përgjigje: LOJA U DJEG”, ka shkruar Mexhiti në rrjetet sociale.

Gashi: Opozita po nxitë destabilizim!

Edhe Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi me reagim të ngjashëm. Akuzon BDI-në se nën prektekstin e gjuhës shqipe, opozita tenton të nxitë destabilizim.

“Nxitjet për destabilizim, që e kanë burimin te opozita e dëshpëruar shqiptare, ndërsa preteks e kanë temën e gjuhës shqipe, janë përpjekje të dështuara dhe ëndrra të perënduara të politikanëve që, në mungesë të ofertës politike dhe drojës nga përgjegjësia, shpëtimi e kërkojnë në planet për destabilizim, sajimin e pakënaqësive qytetare dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike” - ka shkruar Gashi në rrjetet sociale.

Seanca e Gjykatës Kushtetuese në të cilët pritet të diskutohet dhe të merret vendim mbi kontestimin e disa dispozitave të Ligjit për Gjuhët është e caktuar për më 11 dhejtor. (Rexhep Qamili, TVM2)