Maqedoni

Bild: Zgjerimi, politikë e mençur e BE-së

01.05.2015 18:32

Politika e zgjerimit e BE-së ka qenë një ndër politikat më të mençura të Evropës dhe procesi i zgjerimit do të vazhdojë...

Sipas ish kryeministri suedez, Karl Bilt, BE ka marrë hap historik me zgjerimin, i cili e ka bërë Evropën më të sigurt dhe më prosperuese.
 
Në një paraqitje në Uashington, ish kryeministri suedez, Karl Bilt, paralajmëron zgjerimin edhe në Lindje, pasi procesi i anëtarësimit i demokratizon dhe stabilizon shtetet që do të bëhen anëtare në të ardhmen. 
 
“Zgjerimi i transformoi shtetet, të cilat patën mundësi të bëhen anëtare. Por, politika e zgjerimit u gjet edhe përtej kufijve të BE-së në Lindje dhe duhet të vazhdojë që të mos krijohen kufij të rinj në tokën evropiane, por edhe për të siguruar zhvillim ekonomik dhe demokratik edhe në vendet që do të bëhen anëtare në të ardhmen”- deklaroi ish kryeministri i Suedisë, Karl Bild.
 
Sipas tij, Evropa aktualisht nuk kufizohet me miq, por me zjarr. Pasiguria në Lindjen e Afërt mund të përhapet shumë lehtë, vlerëson Bilt. 
 
“Kemi një seri sfidash ekonomike, fetare dhe politike shkaku i Libisë dhe Sirisë. Ngritja e një shteti islamik, përhapja e grupeve të lidhura me “Al Kaedën” dhe zhvillimet e fundit në Jemen. Evropa nga një oazë stabile para një dekade, tani po përballet me sfida dhe kërcënime”- tha ish kryeministri i Suedisë, Karl Bild.
 
Ish kryeministri suedez vlerëson se Unioni ka marrë mësim nga këto kërcënime dhe prandaj politika evropiane ndaj fqinjëve është në rishqyrtim.    
 
SHPËTIM NUREDINI