Botë

Rënia e regjimit të Asadit, mijëra sirianë po kthehen në shtëpi

09.12.2024 11:37

Mijëra sirianë po kthehen në shtëpi pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad....

Mijëra sirianë po kthehen në shtëpi pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad. Opozita siriane thotë se po punojnë për të krijuar një qeveri kalimtare me kompetenca të plota ekzekutive.
 
Udhëheqësi i grupit më të madh rebel të Sirisë u ka bërë thirrje luftëtarëve të tij që të kthehen në bazat ushtarake.
 
“Shpresoj që kushdo që mban armë të shkojë në bazën e tij dhe të angazhohet në divizionin, batalionin apo brigadën e tij. Ne nuk do të pranojmë ose lejojmë fare armë apo të shtëna në rrugë,” tha Ahmed al-Shara, udhëheqësi i Hayat Tahrir Sham.
 
Disa nga grupet që rrëzuan Asadin kanë një histori të errët të terrorizmit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, tha presidenti amerikan Bajden. Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fqinjët e Sirisë nëse lindin kërcënime gjatë periudhës së tranzicionit, thotë kreu i Shtëpisë së Bardhë. Mediat ruse, duke cituar burime të Kremlinit, raportuan se Asad dhe familja e tij kishin mbërritur në Moskë. Udhëheqësit botërorë janë unanim se prioriteti është kthimi i shpejtë i rendit dhe ligjit në Siri.
 
Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë në rindërtimin e Sirisë, thotë kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen. Kryeministri izraelit Netanyahu pretendon se përmbysja e presidentit sirian është rezultat i drejtpërdrejtë i sulmeve të Izraelit ndaj Iranit dhe Hezbollahut, mbështetësit kryesorë të regjimit të Asadit. Ndërkohë, forcat izraelite kanë kapur zonën tampon të Lartësive të Golanit të krijuar nga një marrëveshje armëpushimi të vitit 1974 me Sirinë.