Maqedoni

Departamenti rinor i VLEN ironizon me letrën e BDI-së

08.12.2024 19:25

Të rinjtë e koalicionit VLEN kanë ironizuar me letrën që BDI i ka dërguar faktorit ndërkombëtarë...

Të rinjtë e koalicionit VLEN kanë ironizuar me letrën që BDI i ka dërguar faktorit ndërkombëtarë.

"Të nderuar miq ndërkombëtarë,
Gjatë viteve unë dhe partia ime arritëm të instalohemi thellë e mirë në LLOTARINË SHTETËRORE.  Aty kemi bërë korrupsion të përmasave epike.  Me miliona euro janë keqpërdorur dhe kanë përfunduar në xhepat e familjeve tona.  Natyrshëm, kur dikush na flet për përgjegjësi, ne ndjehemi të kërcënuar dhe flasim për bashkëjetesën etnike, për Marrëveshjen e Ohrit, për Ligjin për gjuhët, për sigurinë e vendit.  Edhe për Llotarinë e kam udhëzuar Islam Abazin se si të veprojë.  
Por, përfitimet tona nuk mbarojnë me kaq:  gjatë viteve kemi fituar para edhe nga gjithë ata tenderë të deputetit tonë oligark  të naftës, nga fabrikat e shumta të funksionarëve të mi që kanë përfituar subvencione e grante, nga keqpërdorimet me mallrat që kanë hyrë përmes njerëzve që i kemi instaluar në Doganë, e të mos flas për mafinë urbane të cilën e kontrollojmë përmes lejeve të ndërtimit që i kemi aprovuar gjatë viteve në pushtet.
Ne kemi luajtur një rol kritik në ndërmjetësimin e të gjitha këtyre bizneseve, në pasurimin e fëmijëve tanë por edhe të nipave e mbesave tona, prandaj është përgjegjësi e jona që t’i mbrojmë këto përfitime.  Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendsme e vendit – paratë dhe bizneset tona shtrihen nëpër shtete e banka të fuqishme në Evropë, Amerikë e në Lindje të Mesme, prandaj tani vihet në pikëpyetje kredibiliteti i përkushtimit ndërkombëtar ndaj sukseseve tona!  
U bëjmë thirrje SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe garantuesve tjerë të Marrëveshjes së Ohrit që të veprojnë me vendosmëri.  Mbijetesa jonë tani është më e rëndësishme se kurdoherë.  Kemi gjithë ato biznese për t’i drejtuar, gjithë atë pasuri për ta gëzuar!  Ju lutemi mos na lini të përfundojmë në burg!  Ky është momenti i të vërtetës.  Përfitimet tona financiare në kurriz të qytetarëve nuk janë thjeshtë histori – ato janë dëshmi të keqpërdorimeve që kemi bërë dhe të parave që kemi vjedhur.  

Na mbroni nga ligji që të mos shkaktojmë siguri dhe destabilitet!", tha Arbnor Maliqi nga departamenti rinor i VLEN-it.