Maqedoni
Kërkesa për ekstradim nga Kosova të Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, nuk ka njohuri
01.05.2015 18:36
Ministria e Drejtësisë, pa dijeninë e ministrit, Adnan Jashari, ka dërguar kërkesë urgjente deri te Ministria e Drejtësisë në Kosovë...

Ministria e Drejtësisë, pa dijeninë e ministrit, Adnan Jashari, ka dërguar kërkesë urgjente deri te Ministria e Drejtësisë në Kosovë për ekstradimin e dy të akuzuarve për rastin “Monstra”, Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit.
Kërkesa mban nënshkrimin e udhëheqëses së sektorit për ndihmë ndërkombëtare juridike, Verka Cvetanovska, nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
Kërkesa urgjente është dërguar më 27 prill të këtij viti, ndërsa thuhet se “Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë ka nderin që t’i dorëzojë Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës aktpadinë me propozimin për vazhdimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1, me kërkesë që qytetarët e Maqedonisë, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të ekstradohen në Maqedoni”- thuhet mes tjerash në dokumentin e dërguar.
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, bën të ditur se kërkesa është bërë pa dijeninë e tij. Ai tha se procedura e filluar në vitin 2012 për ekstradimin e të akuzuarve tani po udhëhiqet nga sektorët përkatës të dy ministrive.
Me gjithë procesin e filluar 3 vjet më parë, ekstradimi nuk është realizuar për shkak të këmbënguljes së Ministrisë kosovare të Drejtësisë, që bashkë me kërkesën për ekstradim të dorëzohen edhe prova për përfshirjen e të akuzuarve mbi veprën penale, siç parashikon e drejta ndërkombëtare, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur.
