Maqedoni

Qytetarët e shqetësuar për dotjen e ajrit, paralajmërohen protesta nga e marta

09.12.2024 13:55

Pas shumë paralajmërimeve se disa qytete të vendit tonë e posaçërisht Shkupi po i prinë listës së qyteteve me ajrin më të ndotur...

Pas shumë paralajmërimeve se disa qytete të vendit tonë e posaçërisht Shkupi po i prinë listës së qyteteve me ajrin më të ndotur, po arrin edhe reagimi i qytetarëve. Këtë organizim në mes e qytetarëve në disa raste e kanë pritur edhe banorët e Shkupit, por assesi të realizohet. 
 
“Duhet popullata të vetëdijesohet pak, që mos të kemi ajër të ndotur, duhet diçka të ndryshohet.”, tha një qytetar.
 
Ndërsa së fundmi Nisma “Green Human City” ka paralajmëruar një marsh proteste kundër ndotjes së ajrit në kryeqytet edhe atë gjatë ditës së nesërme, ku pret përkrahjen e qytetarëve. Të njëjtit këtë marsh protestues e kanë paralajmëruar ta mbajnë në ora 16:00 para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe më pas për të vazhduar para Kuvendit dhe përfundon para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
 
“Çdo vit në Maqedoni ka rreth 3828 vdekje nga ekspozimi ndaj grimcave PM2.5, të cilat janë ndër më të dëmshmet për shëndetin. Kjo përbën 17.7% të vdekshmërisë totale në vend. Grimcat shoqërohen me probleme serioze shëndetësore, si sëmundjet e mushkërive, sulmet në zemër dhe kancerin e mushkërive.”, thuhet në thirrjen e iniciativës.
 
Por banorët e kryeqendrës janë shprehur se edhe pse në vazhdimësi po reagojnë për ajrin e ndotur, askush reagimet e tyre nuk po i merr për bazë. 
 
“Ne ç’kado që të themi, askush nuk na dëgjon, personat zyrtarë për këtë punë diçka duhet të bëjnë.”, u shpreh një qytetar.
 
“Unë kam punuar në Shkup, kur kryeqendra kishte industri, dhe aso kohe ajri ishte shumë më i ndotur, edhe tani është i ndotur, por gisht ka politika.”, tha një qytetar.
 
“Së pari duhet ta dinë se prej çka vije gjithë kjo ndotje, dhe pastaj të kërkohet zgjidhje. Por unë mendoj se ndotjen më të madhe të ajrit po e shkaktojnë veturat.”, u shpreh një qytetar.
 
Ndërsa, Institucionet e vendit po marrin hapa të cilat do të ndikojnë në uljen e ndotjes edhe atë përmes rritjes së gazifikimit, subvencionimi i qytetarëve për t'u kthyer në ngrohje qendrore, blerja e autobusëve elektrikë dhe sigurisht projekti për uljen e numrit të automjeteve në rrugë me të ashtuquajturat “Car sharing”. Më shumë njerëz në një makinë – këto janë masat për reduktimin e ndotjes së ajrit që Qeveria planifikon të zbatojë për të trajtuar problemin e ndotjes së ajrit. 
 
FITIM KRYEZIU