Maqedoni
Ligji i gjuhëve, mblidhen liderët e VLEN: Veprojmë institucionalisht, BDI kopje e Gruevskit
09.12.2024 14:14
Katër liderët e koalicionit VLEN në tryezë të përbashkët me trupin koordinues diskutuan ngjarjet...

Katër liderët e koalicionit VLEN në tryezë të përbashkët me trupin koordinues diskutuan ngjarjet që i paraprijnë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e gjuhëve. Ata dolën me një qëndrim të përbashkët se BDI me zhvendosjen para Gjykatës Kushtetuese nuk është kompetente për t’i dalë në mbrojtje gjuhës shqipe, por vetëm paraqet kopje të Nikolla Gruevskit të para 8 viteve para KSHZ-së. Deputetja Saranda Imeri Stafai ftoi shqiptarët të rrijnë të qetë pasi gjuha shqipe do të jetë e mbrojtur.
“Nuk mundet një i korruptuar të mbrojë diçka aq të rëndësishme sa është gjuha shqipe. Nuk mundet një parti që ka individë në lista të zeza ndërkombëtare të pretendojë se mbron kauzën shqiptare. Njëra me tjetrën nuk shkon. Dhe tani me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe. Koalicioni VLEN ka muaj që punon për heqjen e grackave dhe korrigjimin e gabimeve të regjimit të BDI-së. Ne nuk mburremi por veprojmë institucionalisht.”, tha Saranda Imeri Stafai nga koalicioni VLEN.
VMRO: BDI të lë tendat dhe të reformohet
VMRO – DPMNE gjithashtu hedh dyshime korruptive ndaj BDI-së dhe për ikje nga përgjegjësia, thonë se integristët po krijojnë cirkun politik. Ata të mërkurën nuk presin tensionim të situatës para godinës së Gjykatës Kushtetuese, dhe se gjykatësit do të mbajnë seancën sikurse deri më tani.
“BDI është demaskuar. Të gjithë e shohin se veprimi i tyre politik në disa muajt e fundit është vetëm në drejtim të mbrojtjes së kriminelëve politik të cilët e vodhën shtetin. Në vend se të qëndrojnë në të ftohtë, më mirë është që të reformohen si parti, pasi shumë shpejt vijnë zgjedhjet lokale dhe mos t’iu ndodh befasi më e madhe.”, tha Brane Petrushevski nga VMRO–DPMNE.
Nga partia e Mickoskit sigurojnë se qeveria nuk do të lejojë kurrfarë rreziku ndaj rendit dhe qetësisë. Sipas tyre institucionet së bashku me partnerët strategjik këmbejnë informacione, ndjekin situatën dhe do të veprojnë në përputhje me nevojat.
MERALE ISMAILI
