Maqedoni
Beteja politike për gjuhën, BDI vazhdon “Rojën për Gjuhën” para kushtetueses
09.12.2024 15:24
BDI ashtu siç kishte paralajmëruar u vendos në tendë para Gjykatës Kushtetuese për të bërë, siç thonë “Rojën për Gjuhën”...

Fronti Evropian, i udhëhequr nga partia opozitare, Bashkimi Demokratik për Integrim në shenjë revolte për seancën e së mërkurës në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohen iniciativat për Ligjin e Gjuhëve, kanë kaluar natën në tendë para gjykatës me moton bëhu pjesë e "Rojës së Gjuhës". Theksojnë se nuk do të heshtin përballë përpjekjeve për të zhvlerësuar dhe demontuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të minuar arritjet që garantojnë barazinë dhe drejtësinë në këtë vend. Përpjekjet për t’i përçmuar shqiptarët janë të rrezikshme për stabilitetin, andaj ftojnë Kryeministrinë dhe Qeverinë që të heqin dorë nga agjenda për të zhvlerësuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Bujar Osmani nga BDI thotë se për situatën e krijuar janë njoftuar edhe ndërkombëtarët të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre.
“Unë kam frik se këtu ka një mision që ata e quajnë "vtoro poluvreme" për të iu hakmarrë marrëveshjes së Ohrit, për ta demontuar Marrëveshjen brenda 100 ditëve të para. Vendimi i 17 tetorit të Gjykatës Kushtetuese ku e ndalon që institucionet ti njohin qytetarët në bazë të përkatësisë etnike e ka hequr zemrën e Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit bazohet mbi të drejtën e bashkësive etnike dhe përqindjen e tyre. D.m.th një vendim u morr, vendimi i dytë ishte në mosrespektimin e legjitimitetit dhe vendimi i tretë është gjuha. Këta duan ta dëmontojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe pastaj të shpallin moratorium për çështje etnike. Nuk mund të kalon kjo, nuk ka kaluar pas 20 vite, nuk kalon tani.”, tha nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
Artan Grubi nga BDI, mohon akuzat se BDI po përgatit skenar për destabilizimin e vendit.
“Destabilizim është fjalë të cilën e përdor vetëm Qeveria dhe eksponentët qeveritarë, nuk është në agjendën as të BDI-së e as të Frontit Europian dhe nuk është përmendur as një fjalë dhe as një iniciativë në as një nga takimet tona dhe në as një nga iniciativat tona.”, tha Artan Grubi nga BDI.
Dy gjykatësit shqiparë në Gjykatën Kushtetuese, Naser Ajdari dhe Osman Kadriu, kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e së mërkurës ku do të diskutohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ky vendim sipas tyre, vjen pasi çdo herë kur në fjalë kanë qenë çështje nacionale si mungese e votimit me badenter, ata janë mbivotuar, ndërsa kjo u dëshmua edhe së fundmi edhe gjatë votimit për mekanizmin e balancuesit. Anëtarët dhe simpatizantët e opozitës planifikojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese deri të mërkurën, kur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të diskutojnë për Ligjin për Gjuhët.
FLORIJE BELULI KAMBERI
