Ekonomi
Kuvend, buxheti i vitit 2025, nesër në seancë plenare
09.12.2024 16:26
Nesër pritet të fillojë debati për propozim-buxhetin e plotësuar të Republikës, për vitin 2025....

Në Kuvend pritet që nesër të fillojë debati për propozim-buxhetin e plotësuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, si pjesë e rendit të ditës të seancës së 22-të. Debati mbi amendamentet për projektbuxhetin përfundoi më 29 nëntor dhe propozim-buxheti i plotësuar përfshin amendamentet e pranuara dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme. Sipas Rregullores së Kuvendit, shqyrtimi i Propozimit të Buxhetit të Plotësuar në seancë të Kuvendit zgjat më së shumti pesë ditë. Propozimi i buxhetit parasheh rritje ekonomike prej 3.7 për qind dhe sipas Qeverisë është i zhvilluar, i mbështetur nga mjetet e planifikuara për investime kapitale, projekte komunale dhe mbështetje të ekonomisë.
Të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivelin prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor, nga ana tjetër, me vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose 4 për qind nga PBB-ja e planifikuar. Inflacioni pritet të ulet në 2.2 për qind si pasojë e stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe të energjisë në tregun ndërkombëtar, ngadalësimit të inflacionit të huaj efektiv dhe presionit më të moderuar të inflacionit bazë.
Për eksportet, parashikimet janë për rritje prej 4.2 për qind dhe për importet 4.4 për qind. 50,5 miliardë denarë janë planifikuar për investime kapitale, si dhe 349,6 miliardë denarë për shpenzime rrjedhëse, si paga, pensione, të drejta sociale, subvencione në bujqësi, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kategoritë e cenueshme të qytetarëve dhe për ekonominë. Shpenzimet për paga janë në nivelin prej 48,1 miliardë denarë dhe shënojnë rritje prej 8 për qind, ndërsa për mallra dhe shërbime 26,2 miliardë denarë me rënie prej 0,5 për qind në strukturën e gjithsej shpenzimeve.
Për pagesën e pensioneve janë planifikuar 105,5 miliardë denarë, të cilat sigurojnë mjete për rritjen e paralajmëruar të pensioneve për 2.500 denarë nga marsi i vitit të ardhshëm. Rreth 14,5 miliardë denarë për përfitime të mbrojtjes sociale, 1,6 miliardë denarë për kompensim monetar në rast të papunësisë dhe 2,3 miliardë denarë për zbatimin e politikave dhe masave aktive të punësimit.
ERSAN PAJAZITI
