Maqedoni
Beteja politike për gjuhën, Fronti kërkon rrëzimin e nismave
09.12.2024 18:28
Liderët e Frontit Europian iu bashkëngjiten qytetarëve ne tendat e vendosura para Gjykatës Kushtetuese...

Liderët e Frontit Europian iu bashkëngjiten qytetarëve ne tendat e vendosura para Gjykatës Kushtetuese, ku po shprehin revoltën kundër shqyrtimit të paralajmëruar të kësaj Gjykate për disa nene të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Nga Fronti Europian theksojnë se nuk do të heshtin përballë përpjekjeve për të zhvlerësuar dhe demontuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të minuar arritjet që garantojnë barazinë dhe drejtësinë në këtë vend.
Ahmeti: Nuk do të ketë qetësi
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se përpjekjet për t’i përçmuar shqiptarët janë të rrezikshme për stabilitetin, andaj I bëri thirrje kryeministrit dhe Qeverinë që të heqin dorë nga agjenda për të zhvlerësuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
“Asnjëherë nuk kemi kontestuar as gjuhën e bashkëqytetarëve as historinë e bashkëqytetareve, prandaj mos i prekni në palcë shqiptarët, sepse edhe durimi ka një fund. Ditën e 11 dhjetorit ne kërkojmë që Gjykata nëse është Gjykatë që ndan drejtësi, nëse është gjykatë që mendon për demokraci të shtetit, për paqe e stabilitet dhe nuk është gjykatë që i hedh zjarrit benzinë, të hedh poshtë 13 iniciativat dhe të lërë Rahat që ne të shkojmë në shtëpi, përndryshe qetësi nuk ka.”, tha kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sela: Ligji nuk ka asgjë antikushtetuese
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela tha se ligji për përdorimin e gjuhëve nuk ka asnje element kundër-kushtetues, ndersa bëri thirrje që Gjykata Kushtetuese të mos jetë mem dirigjimin e VMRO-DPMNE-së.
“Sonte dhe unë jam bashkë me ju para Gjykatës Kushtetuese dhe dua që në emrin tim dhe tuajin të gjithë atyre që na ndjekim tu themi shumë haptazi, ne bashkërisht e kemi përpiluar ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe bashkërisht e dimë se çfarë përmban ai ligji, ai ligj nuk ka asnjë element anti-kushtetues. Prandaj ne duhet që deri në fund të rezistojmë, ju bëjmë apel hiqni dorë nga këto mjete dhe mos u fshihni prapa institucioneve që i dirigjoni ju.”, tha Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela.
Dy gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese, Naser Ajdari dhe Osman Kadriu, kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e së mërkurës ku do të diskutohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ky vendim sipas tyre, vjen pasi çdo herë kur në fjalë kanë qenë çështje nacionale si mungese e votimit me badenter, ata janë mbivotuar, ndërsa kjo u dëshmua edhe së fundmi edhe gjatë votimit për mekanizmin e balancuesit. Anëtarët dhe simpatizantët e opozitës planifikojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese deri të mërkurën, kur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të diskutojnë për Ligjin për Gjuhët.
ERSAN PAJAZITI
