Botë

Izraeli kryen sulme të mëdha në të gjithë Sirinë

10.12.2024 10:47

Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer dhjetëra sulme në të gjithë Sirinë, përfshirë kryeqytetin Damask....

Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer dhjetëra sulme në të gjithë Sirinë, përfshirë kryeqytetin Damask. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) me bazë në Mbretërinë e Bashkuar tha se kishte më shumë se 250 sulme ndaj objektivave ushtarake.
 
Këto sulme vijnë teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka thënë se Izraeli është duke “transformuar fytyrën e Lindjes së Mesme” dhe po mposht armiqtë “hap pas hapi”. Uashingtoni po ashtu ka kryer rreth 75 sulme ajrore kundër militantëve të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), të cilët janë ende prezentë në Siri. Sulmet vijnë në një kohë që OKB ka paralajmëruar autoritetet në Siri që të sigurojnë rezervat e armëve kimike. 
 
Ndërkaq anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të punojnë për të dalë me një deklaratë për Sirinë në ditët në vijim. Ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia tha se Këshilli duhet të jetë i bashkuar për të ruajtur integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë, për të siguruar mbrojtjen e civilëve dhe që ndihma humanitare të vijë për popullatën në nevojë.
 
SHBA-ja është zotuar të ofrojë ndihmë humanitare për Sirinë pas rënies së regjimit të al-Asad. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Uashingtoni është në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me të gjitha grupet në Siri.
 
Nga ana tjetër kërkimet në qendrat e paraburgimit të Asadit vazhdojnë, ndërsa luftëtarët rebelë raportuan se gjetën rreth 40 trupa në një morg spitali, ku dukeshin qartë shenjat e torturave.