Botë
BE: Më 17 dhjetor dialogu Kosovë-Serbi
10.12.2024 11:37
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë...

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se takimi i radhës në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel, dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se në këtë takim do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Kosova përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas ka shprehur gatishmëri që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut. Ka pritje që kryediplomatja Kallas, në bashkëpunim me vendet anëtare, të vendosë lidhur me vazhdimin e dialogut, përfshirë edhe rreth asaj se a do të ketë pasardhës të Lajçakut në atë postë, dhe kush do të jetë ai. Të dyja vendet dialogojnë në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian qysh prej vitit 2011, kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
