Botë
Hovenier: Aktorë të huaj minojnë demokracinë në Kosovë
10.12.2024 13:47
Ka aktorë të huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës...

Ka aktorë të huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës. Kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë lidhur me integritetin e informacionit, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik me seli në Uashington.
“Ka aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar përçarjet etnike. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë.”, tha ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan njëherit shtoi se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën aktualisht ndodhet Kosova.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për mediat që ofrojnë informacion të paanshëm dhe të saktë. Jemi të vetëdijshëm se ka disa që përpiqen të shfrytëzojnë këtë pretendim për të bërë diçka krejtësisht tjetër, për të dhënë një mesazh që synon qëllime shumë, shumë të ndryshme nga informimi i komunitetit. Kjo duhet të denoncohet dhe ne duhet t’i mbështesim mediat e pavarura.”, tha Hovenier.
Ambasadori Hovenier njëherit shprehu gatishmërinë amerikane për të ndihmuar në mbrojtjen e demokracisë në Kosovë. (Gyltene Sinani, TVM2)
