Maqedoni

Lista e zezë amerikane, Ageler: Gjyqësori të veprojë sipas dëshmive

10.12.2024 14:10

ShBA-të presin që gjyqësori në vend të ndërmerr hapa konkret ndaj ish zëvendës kryeministrit Grubi dhe gjykatësit të apelit Bexheti...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që gjyqësori në vend të ndërmerr hapa konkret ndaj ish zëvendës kryeministrit Artan Grubi dhe gjykatësit të apelit Enver Bexheti, me përfshirjen në listën e zezë amerikane pas dëshmive të fuqishme për përfshirje në korrupsion. Ambasadorja amerikane Angela Ageler edhe pse distancohet nga ndërhyrja në punën e gjyqsorit thotë se institucionet kanë mjaft dëshmi për të vepruar sikurse SHBA-të.
 
“Shpresoj se me këto përcaktime të reja në listën e zezë, do të shohim lëvizje në gjyqësor, për këtë rast dhe raste të tjera. Ne s’do ndajmë këto informacione për arsye privatësie dhe as që kemi nevojë, pasiqë dëshmitë që rishikoi Uashingtoni e që ishim në gjendje ti bashkojmë sikurse këtu dhe në Uashington, ishin në dispozicion. Nëse ne mund të bëjmë bashkë këto dëshmi, këtë mund ta bëj edhe gjyqësori këtu.”, tha ambasadorja amerikane në RMV, Angela Ageler.
 
BDI: Respektojmë vendimin amerikan
 
Bashkimi Demokratik për Integrim respekton vendimin amerikan duke mos hequr dorë nga bashkëpunimi me SHBA-të.
 
“Si parti, ne mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me SHBA-të dhe forcimit e vlerave demokratike dhe transparencës”, thuhet në komunikatë e BDI-së.
 
Mexhiti: Institucionet të kërkojnë përgjegjësi
 
Zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti tha se paralajmërimet e tij për ndërveprim të Grubit me Sasho Mijallkovin dhe Gruevski morën trajtë. Ai fton institucionet të procesuojnë rastin, ndërkaq anëtarësia e BDI-së të braktisë partinë.
 
“Po të kishte pasur fuqi Ali Ahmeti që t’ia ndalte hovin Artan Grubit, t’ia këpuste rrugën korrupsionit, t’ia ndalte Artanit rrugën e bashkëpunimit me Sasho Mijallkovin dhe Nikolla Gruevkin ndoshta BDI as nuk do të shkonte në opozitë. Lidhjet e Artan Grubit e me sa duket edhe lidhjet e Ali Ahmetit me Sasho Mijallkovin dje u konfirmuan nga partnerët tanë strategjik nga stejt departamenti amerikan. U bindëm publikisht se Artan Grubi ka qenë i paguar nga Sasho Mijallkovi.”, tha zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti.
 
Presidentja kërkon të zbardhin rastin
 
Edhe presidentja ftoi gjyqësorin të reagojë, ndërkaq kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi zhvillime të reja sa i përket përfshirjeve korruptive.
 
“Nuk guxojmë që sikurse deri më tani të qëndrojmë të qetë, disa persona të cilët janë gjetur në listën e zezë, të vazhdojnë me aktivitete e tyre të rregullta. Prokurorët publik duhet të veprojmë për këtë rast.”, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova.
 
Mickoski paralajmëron zhvillime të reja
 
“Periudhën që vijon edhe shumë pohime për gjitha dyshimet që kemi pasur do të dalin në pah dhe opinioni do të jetë i njoftuar.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski
 
Lista e zezë amerikane nuk mbyllet me Grubin dhe gjykatësin Bexheti. Ambasadorja Ageler thotë se lista do të zgjerohet me emra të tjerë, pasi qeveria  amerikane ka investuar gjysmë miliard dollarë për një gjyqësor më efikas.
 
MERALE ISMAILI