Ekonomi
Buxheti i vitit 2025, nis debati në seancën plenare
10.12.2024 15:29
Sipas Qeverisë, buxheti është zhvillimor, i mbështetur me investime. Për opozitën ai është joreal dhe gjenerues i borxheve të reja....

Buxheti i vitit 2025 para deputetëve në seancë plenare. Në ditën e parë të debatit, kundërshtime mes partive politike. Sipas Qeverisë, buxheti është zhvillimor, i mbështetur me investime. Për opozitën ai është joreal dhe gjenerues i borxheve të reja. Gjatë elaborimit të propozim buxhetit të vitit 2025 ministra e financave Gordana Koçovska tha se fokusi në këtë buxhet do të jetë te konsolidimi fiskal, por edhe te investimet kapitale. Me buxhetin e vitit 2025 do të ketë rritje të rrogave dhe pensioneve, tha ministrja e financave Koçovska.
“Buxheti për vitin 2025 është një dokument me të cilin qeveria i lajmëron ndryshimet në politikat që janë në drejtim të konsolidimit fiskal, sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe mbështetjes së rritjes ekonomike. Është i bazuar në parametra reale dhe projeksione fiskale, mbështet funksionim pa pengesa të institucioneve dhe shtetit dhe ajo që është më e rëndësishme, është komponenta zhvillimore e saj që do të nxit një cikël të ri të investimeve.”, tha ministrja e financave, Gordana Koçovska.
LSDM opozitare vlerëson se buxheti i propozuar për vitin 2025 nuk korrespondon me realitetin dhe nuk ofron politika të qëndrueshme që do të mundësojnë reforma strukturore, rritje ekonomike dhe zhvillim. Gjatë diskutimit në seancë plenare, Bytyçi theksoi se shuma të mëdha shkojnë për projekte irracionale pa asnjë drejtësi ekonomike, si mobilje dhe vetura për zyrtarët, prandaj, tha ai, “buxheti i propozuar nuk kujdeset për qytetarët, por për elitën.".
“Deficiti buxhetor prej 4 për qind të PBB-së është një tregues i qartë i papërgjegjshmërisë. Tre për qind duhet të jetë deficiti maksimal ose në këto rrethana të jashtëzakonshme mund të jetë maksimumi 3.5 për qind. Edhe këto 4 për qind nuk përfaqësojnë të gjithë pamjen. Nuk ka detyrime të prapambetura që deri në fund të vitit pritet të arrijnë një miliardë euro. Vitin e ri 2025 do ta presim me një borxh publik prej 70.8 për qind. Një deficit i rritur do të thotë rritje e borxhit dhe një barrë më e madhe për secilin prej nesh.”, tha Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Ndaj deklaratës së Bytyqit, replikuan nga VMRO-DPME, të cilët thanë se LSDM ka pasur politika të gabuara në aspektin ekonomik.
“T’ju rikujtoj se qeveria e juaj në vazhdimësi e ka rritur deficitin buxhetor, shihni periudhën kohore prej se ishte LSDM në pushtet, në vazhdimësi rritej deficit buxhetor. Folët për borxhet e ndërmarrjeve publike, po kush I ka lënë ato ndërmarrje me borxhe, ju i latë.”, tha Malisha Stankoviç nga VMRO-DPMNE.
Përndryshe debati rreth propozim buxhetit të plotësuar të vitit 2025 pritet të zgjas më së shumti pesë ditë. Me buxhetin e vitit 2025 është parashikuar që rritja ekonomike të jetë 3.7 për qind dhe inflacioni të ulet në 2.2 për qind.
ERSAN PAJAZITI
