Botë
Agjencia Evropiane e Mjedisit: 239 000 vdekje i atribuohen ajrit të ndotur
11.12.2024 10:19
Të paktën 239 000 vdekje mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta në ajër...

Të paktën 239 000 vdekje mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta në ajër, raportoi Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) në vlerësimin e saj të fundit të ndikimit të cilësisë së ajrit.
“Bazuar në shifrat për vitin 2022, 70 000 vdekje i atribuohen ndotjes së ozonit dhe 48 000 ndotjes nga dioksidi i azotit”, tha EEA.
“Të dhënat e fundit konfirmojnë gjithashtu, se evropianët mbeten të ekspozuar ndaj përqendrimeve të ndotësve të ajrit në mënyrë të konsiderueshme mbi nivelet e rekomanduara të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)”, tha EEA me qendër në Kopenhagë.
Vlerat e vlerësuara bazohen në analizën epidemiologjike, nga e cila rrjedhin lidhjet statistikore midis faktorëve të rrezikut, si ndotja nga grimcat dhe efektet në shëndet, si problemet e qarkullimit të gjakut.
EEA paralajmëroi për pasojat për ekosistemet evropiane.
Një vlerësim i veçantë zbuloi gjithashtu se pothuajse tre të katërtat e ekosistemeve të Evropës janë të ekspozuara ndaj niveleve të dëmshme të ndotjes së ajrit.
“Ndërsa rregulla më të rrepta të BE-së për cilësinë e ajrit janë në fuqi, ende shumë njerëz në të gjithë Evropën, veçanërisht në qytete, ndikohen negativisht nga cilësia e dobët e ajrit që rezulton në sëmundje dhe vdekje të parakohshme – të cilat janë kryesisht të parandalueshme përmes reduktimit të niveleve të këtyre ndotësve në mjedis”, tha drejtoresha e EEA, Leena Ylä-Mononen.
“Numri i vdekjeve në BE që i atribuohen grimcave të imta ranë me 45% midis 2005 dhe 2022 – kështu që blloku ishte në rrugën e duhur për të arritur objektivin e reduktimit prej 55% të përshkruar në planin e veprimit të BE-së për ndotjen zero për vitin 2030”, tha EEA.
Publikimi i të dhënave përkon me zbatimin e një direktive të re të BE-së që synon përmirësimin e cilësisë së ajrit të BE-së për t’i afruar ato me standardet e OBSH-së.
