Botë
Sulm i ashpër rus në Zaporozhje, 6 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur
11.12.2024 14:11
Sulm i ashpër rus në Zaporozhye, të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe mbi 20 janë plagosur....

Sulm i ashpër rus në Zaporozhye, të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe mbi 20 janë plagosur. Poashtu është goditur spitali i qytetit, po numërohen të vdekurit, po shpëtohen të plagosurit. Ka edhe njerëz nën rrënoja.
“E shpëtuam veten se ishim pak më larg. Por shkatërrimin që u bë, mund ta shihni vetë. Edhe gjërat metalike u shkatërruan.”, Anatolj Pozij, një banor i Zaporozhje.
Ofensiva ruse para negociatave të mundshme të paqes po shtrihet në disa drejtime. Zona e qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, Kharkiv, është gjithashtu nën sulm. Raketat ranë në qytetin e Zlatopolit.
"Kishte shumë pak kohë midis alarmit dhe evakuimit në strehimore. Punonjësit nuk mund të strehoheshin. Dega e bankës u shkatërrua, tani ne kryejmë transaksione bankare në internet.", tha Artem Nizhelskji, drejtor i rajonit juglindor të “Raiffeisen Bank” në Ukrainë.
Kur bëhet fjalë për paratë, Amerika transferoi 20 miliardë dollarë në Ukrainë nga fondet e ngrira ruse. Paratë janë tashmë në llogarinë e Kievit në Bankën Botërore, por Zelenski kërkon pajisje shtesë të mbrojtjes ajrore për të parandaluar sulmet si në Zaporozhje. Dështimi i Ukrainës është një kërcënim për Evropën.
“Kam folur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rutte, për komunikimet me të gjithë partnerët tanë dhe se si të zgjidhen më shpejt çështjet e sigurisë kolektive për ne dhe për Evropën. Për këtë na duhen garanci të forta dhe efektive.”, tha Volodimir Zelenski, presidenti i Ukrainës.
“Operacioni special do të përfundojë kur të arrihen të gjitha objektivat ruse. Ato gjithashtu mund të arrihen përmes negociatave të përshtatshme, të cilat Ukraina aktualisht po i refuzon.”, tha Dmitri Peskov, zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin.
Në vijat kufitare të rajonit Kursk të Rusisë, avionët luftarakë po bombardojnë vazhdimisht pozicionet e Ukrainës. Kundërsulmi i Kievit deri më tani nuk ka arritur rezultatet e dëshiruara. Para së gjithash, për shkak të mungesës së municioneve.
VLORA LATIFI TOPOJANI
