Maqedoni
Rasti “Aditiv” Toshkovski: Kovaçevski s’është në dispozicion të MPB
11.12.2024 14:42
Ish-drejtori i “Elektranave” Vasko Kovaçevski, i cili është një nga të dyshuarit në aksionin “Aditiv”...

Ish-drejtori i “Elektranave” Vasko Kovaçevski, i cili është një nga të dyshuarit në aksionin “Aditiv”, nuk është në dispozicion të organeve vendore të rendit, por policia do të bëjë gjithçka që është në kompetencat e saj që ai t’u përgjigjet organeve të drejtësisë. Këtë e bëri të ditur Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjes rreth vendndodhjes së Kovaçevskit dhe nëse ai ka hequr dorë nga shtetësia maqedonase.
“Fakt është që personi që ju po përmendni është në kuadër të regjistrit shtetas të RMV –së, ai është shtetas i RMV –së dhe nuk ka kërkuar heqje të shtetësisë, sa i përket pyetjes tjetër nuk do të spekuloja dhe do të lejoj që organet e përndjekjes së bashku me instictucionet tjera të veprojnë dhe të mundësohet personi të përgjigjet para gjykatës dhe drejtësisë.”, tha ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski.
Sipas tij, ky aksion është më i madhi që është bërë në Maqedoni, sa i përket dëmtimit të buxhetit, që është bërë gjatë krizës energjetike.
“Këta janë persona që iu besuan poste të larta shtetërore nga njëra anë dhe nga ana tjetër janë njerëz që brenda natës krijuan kompani pa punonjës. Më parë, ata ishin të angazhuar në shitjen e materialeve për zyra dhe papritmas bëhen kompani që tregtojnë me këtë lloj aditivësh dhe fitojnë shuma milionëshe. Ekzistojnë gjithashtu prova të shumta se ajo që u pagua ishte të paktën trefishi i çmimit aktual.”, tha Toshkovski.
Ish-drejtori Stefanov dërgohet në Gjykatën Penale
Toshkovski u dërgoi mesazh të gjithë ish-funksionarëve dhe zyrtarëve aktualë se nuk do të lejojnë të përsëritet ky lloj krimi dhe se do të punojë për zbardhjen e rasteve të tilla. Edhe i sh-drejtori i EMV-së në Maqedoninë e Veriut, Vasko Stefanov, është dërguar në Gjykatën Penale me pranga. Stefanov së bashku me 22 persona tjerë, akuzohen se me vetëdije si zyrtarë në Sh.A. “EMV” dhe “Posta e Maqedonisë së Veriut”, kanë krijuar grup që kanë keqpërdorur thirrjet publike, kontratat publike-private, pozitën zyrtare dhe autoritetin dhe kanë shpërlarë para si dhe kanë kryer vepra të dënueshme në bazë të Kodit Penal.
FLUTURA LATIFI
