Maqedoni

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, FE: Është i papranueshëm, të refuzohen iniciativat

11.12.2024 14:57

Vendimi I Gjykatës Kushtetuese nuk kaloi pa reagime politike....

Vendimi I Gjykatës Kushtetuese nuk kaloi pa reagime politike. Për Frontin Europian vendimi I Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm, ndërsa pushteti përshëndet vendimin. Menjëherë pas seancës, reagimi i parë erdhi nga tendat e Frontit Europian. Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani tha se anulimi i seancës nuk është zgjidhje e pranueshme. Për opozitën shqiptare zgjidhja e vetme e pranueshme është hedhja poshtë e 13 nismave që kontestojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. 
 
“Si përfaqësues legjitim të shqiptarëve, dënojmë vazhdimin e seancës në Gjykatën Kushtetuese. Në një shtet multietnik nuk guxon të merren vendime me përbërje monoetnike. Në emër të popullit shqiptarë për ne është e papranueshme çdo vendim tjetër, përpos refuzimit të 13 iniciativave për kushtetutshmërisë së ligjit për përdorimin e gjithëve. Vazhdimi i seancës është palejuar. Kjo shumë ngjason me seancën e 17 tetorit kur Gjykata Kushtetuese abrogoi identifikimin etnik të qytetarëve, që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, dhe duke shtyrë seancat dhe më pas duke i ekzekutuar vendimet ashtu siç i kishin dizajnuar më herët.”, tha nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani.
 
VLEN: Shqipja, nuk u prek!
 
Nga ana tjetër VLEN e cilësoi si lajm të mirë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të caktuar një seancë përgatitore. Nga koalicioni pjesë e pushtetit thonë se me faktin që shqipja nuk u prek, triumfoi faktorizimi i VLEN-it si pjesë e kësaj qeverie. 
 
“Ne jemi angazhuar fuqishëm në mbrojtjen, promovimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Për këtë kemi edhe kapacitet edhe kredibilitet të plotë. Gjuha shqipe është dhe do të mbetet pjesë integrale e jetës institucionale të vendit tone, ndërsa koalicioni VLEN do të vazhdojë me përkushtim të punojë për mbrojtjen dhe garantimin e kësaj të drejte të pacenueshme.”, tha Rijad Shaqiri nga koalicioni VLEN. 
 
VMRO-DPMNE: Nuk ndodhi asgjë, u mposht BDI 
 
Nga VMRO-DPMNE thonë u konfirmua ajo që tha Qeveria se në seancën e 11 dhjetorit nuk do të ndodh asgjë. 
 
“BDI sërish u mposht. Erdhi i 11-ti dhe asgjë nuk ndodhi. Dhe BDI e dinte se asgjë nuk do të ndodhte, sepse kështu janë procedurat gjyqësore. BDI-ja me qëllim krijon një atmosferë të vazhdueshme të tensioneve etnike, këtë e bëjnë kur përballen me sfida dhe probleme për shkak të krimit dhe në këtë mënyrë duan të shpërqendrojnë vëmendjen.”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Përndryshe seanca e Gjykatës Kushtetuese është përcjellë me shumë vëmendje, ndërsa nuk kanë munguar edhe forcat e shumta policore të cilat ishin në gjendje gatishmërie për çdo eskalim të mundshëm të situatës.
 
ERSAN PAJAZITI