Maqedoni

Pasojat nga lista e zezë për Grubin, VLEN: Me urdhër të kujt veproi Grubi?

11.12.2024 15:24

Koalicioni VLEN pyet Ahmetin nëse Grubi është drejtuar nga ai për shpëtimin e Mijallkovit nga procedurat gjyqësore....

Koalicioni VLEN pyet kreun e BDI-së Ali Ahmeti nëse ish zëvendës kryeministri i parë Artan Grubi tanimë i përfshirë në Listën e Zezë amerikane, është drejtuar nga Ahmeti për siç konsideron VLEN, në shpëtimin e ish shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov nga procedurat gjyqësore.
 
“E pyesim Ali Ahmetin se a ka qenë Artan Grubi nën dirigjimin e tij kur e shpëtoi Sasho Mijallkovin nga burgu? Nëse nuk ka përgjigje për këtë, e pyesim a është solidarizuar Grubi me partinë nga shuma e parave që ka marrë nga Mijallkovi?”, tha deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri.
 
Ahmeti: Do të tërhiqet vetë nga funksionet e partisë
 
Ahmeti nuk ka përgjigje konkrete për pyetje e VLENI-it, por thotë se për të nuk janë të kontestueshme vendimet e SHBA-së. Ndërkohë, largimin e tij nga strukturat e BDI-së vlerëson se do ta bëjë vetë Grubi, duke e quajtur të përgjegjshëm.   
 
“Ne nuk i kontestojmë vendimet e Departamentit të Shtetit. Zoti Grubi e ka të drejtën e ankimimit, do ta bëj procesin në drejtim të fakteve sepse kjo e drejtë i njihet zoti Grubit në vendimin e departamentit të shtetit dhe zoti Grubi sigurisht se nuk do ta dëmtojë subjektin e vet, familjen e vet - BDI-në… Unë mendoj se zoti Grubi është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm, nuk ka nevojë ta largojë partia, zoti Grubi sigurisht se do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë.”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Murtezani: Gjyqësori të merret me rastet
 
Ministri i eurointegrimeve Murtezani kërkon që organet e rendit të merren me listën e zezë sepse sipas tij, ky do të jetë një element dëshmie për luftim të korrupsionit, të cilën pos SHBA-së edhe BE-ja e ka evidentuar në raportet e tyre dhe është përcjellë pandërprerë në deklaratat e krerëve të BE-së.
 
“Këto raste para së gjithash janë turp për tërë sistemin e jurisprudencës e më pas edhe për tërë shoqërinë…Mendoj se sugjerimet e tilla me qëllim të mirë nga partnerët tanë strategjik duhet të kuptohen seriozisht dhe këto të inkorporohen në ligjet nacionale. Kur ShBA-ja vëndon në listë politikan të caktuar ose person publik se ekziston dëshmi e korrupsionit, mendoj se sipas ligjit, organet tona duhet detyrimisht të veprojnë. Si mundet partnerët tanë nga Uashingtonë t’i mbledhin dëshmitë dhe person të caktuar të vënë në listë ndërsa organet tona gjyqësore të mos veprojnë?”, tha ministri i jashtëm Orhan Murtezani.
 
Pikërisht këto dëshmi sipas Murtezanti kanë bërë që vazhdimisht të bie besimi i qytetarëve në punën profesionale dhe të pavarur të organeve gjyqësore.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU