Maqedoni

Gjykata Kushtetuese vendosi: Për Ligjin për gjuhët do ketë seancë përgatitore

11.12.2024 15:46

Seanca e Gjykatës Kushtetuese rezultoi me vendim për dëgjimin e seancës për Ligjin e përdorimit të gjuhëve...

Seanca e Gjykatës Kushtetuese ku priteshte të vendoset fati i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, rezultoi me vendim për dëgjimin e seancës përgatitore për këtë çështje. Në diskutimin publik do të marrin pjesë qytetarë, gjykatës, eskpert të brendshëm dhe ndërkombëtarë por edhe përfaqësues të Komisonit të Venedikut, me qëllim sqarimin e saktë të gjendjes faktike dhe juridike por edhe për t'ia bërë të qartë opinionit që t’i heqin dyshimet për etiketimet politike dhe etnike për të cilat u akuzua Gjykata Kushtetuese. Kur bëhet fjalë për çështje komplekse dhe te ndjeshme gjërat duhet të precizohen e sidomos në këtë rast nevojitet interpretim i amendamentit 5 të Kushtetutës vlerësojnë gjykatësit Kushtetues.
 
“Se është vënë në pyetje e drejta e shfrytëzimit të gjuhësh shqipe është gënjeshtër. Të njëjtën gënjeshtër e dëgjuam edhe kur e morëm vendim për balancuesin. Ata janë kategori Kushtetuese, ne nuk vlerësojmë kushtetutshmëri të Kushtetutës. Ata janë atje dhe ne i ruajmë ato, tjetër është çështja e operacionalizimit të tyre me akte ligjore dhe nënligjore. Edhe në lëndën me të ashtuquajturin balancues, për përfaqësim të drejtë dhe adekuat edhe në këtë lëndë, ne nuk e cënojmë këtë të drejtë por se si të operacionalizohet. Nuk dua të futem në diskutim material sepse ajo ende nuk është diskutuar dhe të ju them se përdorimi, mënyra, ku dhe si, vetëm për atë diskutojmë dhe jo për të drejtën. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është vlerë themelore kushtetuese, amendamenti 5 është pjesë e Kushtetutës sonë. Askush përveç ligjvënësit nuk mund ta ndryshojë Kushtetutën. Atë mund ta bëjnë ata, jo ne.”, tha kryetari I Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
 
Kostadinovski u shpreh se periudhën e fundit në adresë të tyre kanë arritur akuza, shantazhe dhe presione dhe e gjithë kjo si pasojë e një sjellje jo shembullore politike që karakterizohet me nivel të ulët të kulturës politike. Vendimi sotëm nuk është për shkak të presionit por për shkak të respektit ndaj qytetarëve që u manipuluan nga politika.
 
“Të gjithë ne periudhën e kaluar, e kjo periudhë është me e gjatë, jemi dëshmitarë të një sjellje jo shembullore apo dhune politike, ndikim, presion, në një farë mënyre edhe shantazh të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është rezultat i asaj që shpesh në publik e kam thënë mungesë frapante e kulturës elementare politike, mos të flas për kulturë kushtetuese... Ne në asnjë mënyrë nga askush nuk dua që kjo të kuptohet si dobësi e gjykatës apo nënshtrim ndaj presionit të dikujt. Thash edhe në seancë, ne vazhdojmë me veprimin për atë lëndë. Është lënda më e vjetër në këtë gjykatë më shumë se 5 vite dhe vendimi ynë i sotëm duhet të interpretohet si akt i lartë I përgjegjësisë dhe respekt më I lartë dhe obligim ndaj qytetarëve që të mos lejojnë të gënjehen dhe manipulohen nga politikanët.”, tha Kostadinovski.
 
Pas këtij vendimi pason përgatitja e listës së pjesëmarrësve në seancën përgatitore që sipas Kryetarit të gjykatës, pritet të mbahet në muajin mars. Ai shtoi se pavarësisht presioneve, vendim për këtë ligj do të ketë. Në seancën e sotme ashtu siç u paralajmërua, nuk morën pjesë dy gjykatësit shqiptarë Naser Ajdari dhe Osman Kadriu, ndërsa nga seanca u largua edhe gjykatësi Fatmir Skender. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI