Maqedoni
Grubi: Kam vendosur të tërhiqem nga jeta publike
12.12.2024 09:06
Ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi njoftoi tërheqjen e tij nga jeta publike...

Ish zëvendës kryeministri Artan Grubi, i cili u fut në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit ka njoftuar se ka marrë vendim që të tërhiqet nga jeta publike. Këtë vendim e kam konsideruar të vështirë, por të nevojshëm, për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin personal e politik tha Grubi.
“Arritjet tona, për të cilat jemi të gjithë dëshmitarë, nuk janë vetëm meritë e përkushtimit tim dhe shokëve, por edhe e mbështetjes së sinqertë dhe të vazhdueshme nga miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Fakti që sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-së dhe ka nisur bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian është dëshmi e qartë e këtij bashkëpunimi dhe përkushtimi të përbashkët”.
“Por, çmimi i këtij angazhimi, një çmim që ka qenë gjithmonë në shërbim të vlerave dhe të drejtës, ka qenë i rëndë për mua dhe për familjen time. Sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta, më kanë bërë të reflektoj për rolin tim në këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe për të ardhmen e tij”.“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë. Besoni tek rruga e tij e drejtë, një rrugë që ka qenë dhe mbetet shpresa më e madhe për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.”, shkroi ai në Facebook.
