Botë

Izraeli për palestinezët, shqyrtojnë mundësinë e pauzës në luftime

12.12.2024 11:37

Izraelitët dhe palestinezët po sinjalizojnë përpjekje të reja drejt një marrëveshjeje armëpushimi qoftë edhe të kufizuar...

Izraelitët dhe palestinezët po sinjalizojnë përpjekje të reja drejt një marrëveshjeje armëpushimi qoftë edhe të kufizuar, për herë të parë që prej një viti. Marrëveshja do të ndalonte luftimet në Gazë dhe do të kthente në Izrael disa nga pengjet që ende mbahen në enklavën palestineze.
 
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, i tha homologut të tij amerikan Llojd Austin në një telefonatë se tani ekziston një shans për një marrëveshje të re që do të lejonte kthimin e të gjithë pengjeve, përfshirë qytetarët amerikanë, tha zyra e zotit Katz. Megjithatë një diplomat perëndimor në rajon tha se marrëveshje ka të ngjarë të jetë e kufizuar, duke siguruar lirimin e një numri të vogël pengjesh dhe një ndërprerje të shkurtër të luftimeve. Një armëpushim i tillë do të ishte vetëm i dyti që nga fillimi i luftës në tetor 2023.Optimizmi i përmbajtur po shprehet ndërsa këshilltari i sigurisë kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xho  Bajden, Xhek  Sullivan shkon në Izrael për bisedime me kryeministrin Benjamin Netanjahu të enjten dhe më pas në Egjipt dhe Katar, që ashtu si SHBA po luajnë rol ndërmjetës për një marrëveshje.
 
Ndërkohë Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka kërkuar që militantët e grupit palestinez të Hamasit të lirojnë pengjet e mbajtura në Gazë përpara se ai të marrë pushtetin nga Biden më 20 janar. Izraeli thotë se 100 pengje vazhdojnë të mbahen në Gazë. Shtatë besohet se janë shtetas amerikanë.