Ekonomi

Shporta e Vitit të Ri, inspektorët në terren kontrollojnë çmimet

12.12.2024 13:48

Inspektorët e tregut po kontrollojnë çmimet aktuale të produkteve që do të jenë në shportën e Vitit të Ri nga 15 dhjetori....

Inspektorët e tregut po kontrollojnë çmimet aktuale të produkteve që do të jenë në shportën e Vitit të Ri nga 15 dhjetori. Gjatë kontrolleve, siç thuhet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, shihen çmimet aktuale të produkteve të përfshira në listën e shportës së Vitit të Ri së bashku me çmimet më të ulëta të të njëjtave produkte që janë aplikuar në 30 ditët e fundit.

“Qëllimi i kryerjes së kontrolleve, është të përcaktojë nëse, pas fillimit të aksionit, tregtarët do t’i përmbahen nismës së dhënë nga ana e tyre për ulje të çmimit promovues prej 10 përqind ose më shumë për produktet ushqimore që më së shumti shiten gjatë festave të Vitit të Ri.”, thuhet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
 
LSDM: Çmimet e produkteve në treg po rriten
 
Ndërkohë LSDM ka akuzuar se çmimet e produkteve në treg po vazhdojnë të rriten. Këtë sipas tyre e konfirmojnë të dhënat zyrtare të Enti Shtetëror të Statistikave.
 
“Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se inflacioni në nëntor të këtij viti arriti në 4.3%. Kjo shifër nuk është thjesht një statistikë, por tregon për ndikimin në xhepin e secilit prej qytetarëve tanë, në çdo buxhet familjar. Qeveria po drejton një politikë ekonomike krejtësisht të gabuar, që masat me të ashtuquajturat “shporta” nuk kanë efekt, përkundrazi, çmimet po rriten, inflacioni po ha rrogat, dhe standardi i qytetarëve po bie.”, tha Lolita Ristova nga LSDM.
 
Me vendim të qeverisë Shporta e Vitit të Ri do të nisë më 15 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 15 janar të vitit të ardhshëm dhe përfshin mbi 700 produkte.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI