Botë
Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, u dorëzuan listat e kandidatëve për deputet
12.12.2024 14:28
Mesnatën mes të mërkurës dhe të enjtes partitë politike në Kosovë kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit....

Mesnatën mes të mërkurës dhe të enjtes partitë politike në Kosovë kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit. Siç ka bërë të ditur KQZ, për pjesëmarrje në zgjedhje kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Listës së kandidatëve për deputet të Vetëvendosjes do ti prijë Albin Kurti, i cili është edhe kandidat për Kryeministër. Lista vazhdon me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryetaren e listës Guxo Donika Gërvalla Shfarc.
Listës së PDK-së i prin kandidati i kësaj partie për kryeministër Bedri Hamza, ndërsa i dyti në listë është radhitur kryetari i kësaj partie Memli Krasniqi.
Në LDK kandidat për kryeministër është kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku, i cili njëherit i prinë edhe listës së kandidatëve për deputet.
AAK e Ramush Haradinajt, do të garojë në koalicion me Nismën e Fatmir Limajt. Dy liderët do ti prijnë listës së kandidatëve për deputet të këtij koalicioni.
Pjesë e garës janë edhe partitë e komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë. Emrat e njëmijë e 280 kandidatëve nga 28 subjekte politike sa kanë aplikuar në KQZ për certifikim do t’u përcillen institucioneve përgjegjëse për verifikim thonë nga KQZ.
“Neni 30 i Ligjit për Zgjedhje parasheh disa raste se kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet. Në këtë nen parashihet se nuk mund të certifikohet një person që është i dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vite burgim efektiv. Andaj, me qëllim të verifikimit, kemi kërkuar nga KGJK-ja të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse ndonjëri prej tyre janë në kundërshtim me këtë nen të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.”, tha Valmir Elezi nga KQZ-ja.
Certifikimi i kandidatëve për deputet do të bëhet deri më datë 25 dhjetor, ndërsa shorti për renditjen e partive politike në fletëvotime pritet të hedhet në fillim të janarit të vitit të ardhshëm.
GYLTENE SINANI
