Sirianët i rikthehen ngadalë normalitetit, pasiguria është ende e pranishme
Shfuqizohet ora policore në Damask...

Shfuqizohet ora policore në Damask. Jeta e sirianëve po kthehet ngadalë në normalitet. Disa nga dyqanet janë të hapura, rrugët janë plot. Blerësit shihen mes dyqaneve shumëngjyrëshe dhe të vjetra të erëzave të tregut të famshëm Buzurije.
"Ju mund të shihni se buzëqeshjet e njerëzve janë ndryshe tani se më parë. Faleminderit Zotit, Damasku dhe Siria janë kthyer në atë që ishin dikur” – tha Bekri Baktash, tregëtar.
Në sheshet publike njerëzit vazhdojnë të festojnë. Adhuruesit mbushën Xhaminë “Umajad”.
“Ne vazhduam të punonim menjëherë pas përmbysjes së regjimit të mëparshëm dhe pamë një numër të madh vizitorësh në Xhaminë ‘Umajad’, diçka që nuk e kishim parë që para vitit 2011” – thotë Isam Sukar, mbikëqyrësi i Xhamisë “Umajad”.
Ka nisur edhe rikonstruksioni i rrugëve. Autoritetet e reja po përpiqen ta rikthejnë Sirinë në jetë pas 14 vitesh luftë civile. Komuniteti ndërkombëtar po monitoron nga afër situatën.
“Ne po shohim shenja shprese që vijnë nga fundi i diktaturës siriane. OKB-ja është plotësisht e përkushtuar për një tranzicion të qetë të pushtetit me një proces politik gjithëpërfshirës që respekton plotësisht të drejtat e të gjitha pakicave që do të hapë rrugën për një Siri të bashkuar dhe sovrane” – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterresh.
Megjithatë, pasiguria është ende e pranishme. Mungesa e ushqimit dhe ilaçeve mbetet pengesë. Sulmet izraelite ndaj objektivave ushtarake në të gjithë vendin vazhduan.
Tel Avivi ka hedhur poshtë akuzat e Iranit për përfshirje në rrëzimin e Asadit.
“Hamenei duhet të fajësojë veten se ka marrë qindra miliarda dollarë nga paratë e popullit iranian dhe i ka investuar në Siri, Liban dhe Gaza për të dyfishuar krahët e oktapodit që ai drejton në një përpjekje për të nënshtruar shtetin e Izraelit.” – deklaroi Ministri i Mbrojtjës së Izraelit, Israel Katz.
Edhe udhëheqësi i rebelëve konfirmoi se ata e rifituan vendin pa mbështetjen e huaj.
“Ne ishim më të dobët se armiku, por armët me të cilat luftuam ishin të prodhuara në vend. Ne bëmë përpjekje të mëdha për ta marrë atë, madje edhe paratë erdhën nga përpjekjet tona, nuk kishte asnjë vend të vetëm që na mbështeti.” – theksoi Udhëheqësi i grupit rebel “Hajat Tahrir Al-Sham”, Ahmad Al-Shara.
Sekretari amerikan Blinken po viziton sërish rajonin e brishtë për bisedime mbi zhvillimet në Siri, Izrael, Gaza dhe Liban. Pas Lindjes së Mesme, ai do të niset për në Turqi. (Flutura Latifi, TVM2)
