Botë
Dialogu Kosovë-Serbi, Plenkoviç: Të rezultojë me njohje
13.12.2024 14:01
Kroacia i ka marrë më shumë shqetësim dhe i ka analizuar thellësisht tre sulmet e fundit në veri të Kosovës..

Kroacia i ka marrë më shumë shqetësim dhe i ka analizuar thellësisht tre sulmet e fundit në veri të Kosovës, ka deklaruar kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, në pres konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Kroaci. Kryeministri Kroat njëherit theksoi se vendi i tij beson te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të përfundojë me njohjen reciproke.
“Besojmë tek dialogu midis Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizimin e marrëdhënieve dhe gjithsesi të përfundojë me njohjen e ndërsjellë, që do të çonte edhe tek pozita që Kosova të merr rrugëtimin e saj adekuat drejt BE-së. Ekzistojnë ende 5 shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën prandaj ky proces mund të mos jetë i shpejtë ashtu siç duhet dhe atë që do të donte ta shihte zoti kryeministër dhe Qeveria e tij.”, u shpreh kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Kurti: Sulmet në veri të orkestruara nga Serbia
Kryeministri Kurti duke folur për sulmin e fundit në kanalin e Ibër Lepencit tha se ky sulm është bërë nga terroristë profesionistë.
“Duhet të presim cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm dhe se na bëjnë të besojmë që një sulm i tillë vjen i mbështetur, i orkestruar nga Serbia siç ishte sulmi në Banjskë apo atë me sulmin mbi KFOR-in, apo edhe rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq. Duam normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke. E kemi marrëveshjen në Bruksel nga 27 shkurti i vitit të shkuar dhe aneksin e zbatimit nga 18 marsi në Ohër, atë duhet ta respektojmë e zbatojmë. Kosova është konstruktive, e përkushtuar dhe gjithmonë kreative në gjetjen e zgjidhjeve si dy shtete të pavarura që synojnë fqinjësi evropiane.”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë vizitës në Zagreb dy qeveritë kanë nënshkruar marrëveshje për sigurinë sociale, Marrëveshje për njohjen dhe shkëmbimin reciprok të patentave të shoferit, Marrëveshje për bashkëpunim për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, teknike dhe teknologjike, Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrive të Brendshme dhe Agjencive të Forenzikës, si dhe Memorandum mirëkuptimit midis Ministrive të Brendëshme, Drejtorive të Policisë dhe Akademive Policore, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit. (Gyltene Sinani, TVM2)
