Maqedoni
Lista e zezë, prokuroria mbledh dëshmi në Këshillin Gjyqësor
13.12.2024 14:32
Hetues nga Qendra e hetuesisë në Prokurori, kanë marrë nga Këshilli Gjyqësor të gjitha shkresat lidhur me lëndën e njohur në publik si "Target dhe Fortesa"...

Shpallja e listës së zeze nga ana e SHBA-ve me përfshirjen e ish zëvendës kryeministrit Artan Grubi dhe gjykatësit të Apelit Enver Bexheti në çështje korruptive, ka nxitur Prokurorinë Themelore Publike që të veprojë mbi rastin. Siç njoftojnë nga prokuroria, janë mbledhur të gjitha dokumentacionet dhe shkresat nga seancat e Këshillit Gjyqësor, e që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e kërkuar për gjykatësin në fjalë i cili për nëntë muaj me radhë e ka mbajtur në sirtar lëndën "Target dhe Fortesa" ku i akuzuar ishte, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov.
“Duke vepruar mbi lëndën e formuar pas vendosjes së dy personave në të ashtuquajturën "Lista e Zezë" të SHBA-ve, Prokuroria themelore në Shkup, po merr masa në suaza të së cilës, hetues nga Qendra e hetuesisë në Prokurori, kërkoi dhe i mori nga Këshilli Gjyqësor të gjitha shkresat lidhur me procedurat për vërtetimin e përgjegjësisë së gjykatësve të cilët kanë vepruar në lëndën e njohur në publik si "Target dhe Fortesa". Po merren edhe veprime të tjera për hetimin e tërësishëm të rastit.”, thuhet nga Prokurorinë Themelore Publike.
Rokas: Të merren masa për të gjitha rastet korruptive
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Mikalis Rokas, sa i përket shpalljes së Listës së zezë nga ana e SHBA-ve tha se tani është e rëndësishme që gjyqësori në vend të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për këtë dhe të gjitha rastet e tjera korruptive.
“Kemi evidentuar vendosjen në listën e zezë të Gubit dhe Gjykytësit Bexheti, por me rëndësi është që gjyqësorit duhet t’i ndërmerr të gjitha aktivitetet, jo vetëm për këtë rast por edhe të gjitha llojet e korrupsionit që janë të pranishme në sistem, me qëllim që të sigurohet se gjyqësia do të jetë e pavarur dhe do të mund të ndërrmiren veprime me qëllim të luftimit të korrupsionit. BE -ja me të vërtetë ka bërë shumë përpjekje që të sigurojë mekanizma të ndryshëm, t’i ndihmojë gjyqësorit të përforcohet, këtu i kemi edhe mekanizmat e të ashtuquajturit misionit vlerësues të BE–së e cila dha 40 rekomandime për gjyqësorin në RMV dhe mendoj se më me rëndësi është që gjyqësori të jetë i pavarur dhe profesional dhe kjo mbetet prioriteti kyç për procesin e ardhshëm integrues të vendit tuaj drejt BE –së.”, u shpreh ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas.
Mickovski: Së shpejti dhjetëra raste të tjera korruptive
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickovski ka deklaruar se lufta kundër korrupsion do të vazhdojë ku paralajmëroi dhjetëra raste të reja së shpejti. Qytetarët shumë shpejt do ta kenë të qartë se çka ka ndodhur viteve të fundit tha Mickovski.
“Nuk do të ndodhë si në të kaluarën kur njësitë speciale të armatosura deri në dhëmbë hyjnë në shtëpitë e personave të dyshuar dhe e gjithë kjo regjistrohet nga kamera dhe ne bëjmë estradë nga ajo. Nuk do të jetë kështu, por me njoftime, dhe më pas përmes një procesi gjyqësor të drejtë dhe transparent pres që të gjithë të dëshmojnë fajësinë apo pafajësinë e tyre. Në periudhën e ardhshme, nga informacionet që kam, do të ketë dhjetëra raste të tilla.”, theksoi kryeministri Hristijan Mickovski.
Besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësorë-prokurorial është rreth 2% dhe vlerësoj se drejtësia është e ngadalshme por do të vijë gradualisht për ta kthyer besimin e qytetarëve dhe sundimin e ligjit deklaroi, kryeministri Mickovski.
FLORIJE BELULI KAMBERI
