Kontrolle në Shkup, Manastir dhe Ohër, AUV asgjëson dy ton ushqim të pasigurt

13.12.2024 16:08

Pas iniciativës së dorëzuar nga qytetarët...

Pas iniciativës së dorëzuar nga qytetarët për kryerjen e kontrollit të jashtëzakonshëm, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kryer kontrolle në Shkup, Manastir dhe Ohër, ndërsa është asgjësuar ushqim me afat të skaduar.

Për shkeljen e konstatuar, shërbimet inspektuese të Agjencisë kanë nxjerrë vendim për asgjësimin e 1920 kilogramëve ushqime të pasigurta të tërhequra nga disa kioska të operatorit.

Për kundërvajtjen e kryer është shqiptuar gjobë.

“Gjatë kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues në një objekt hoteliere në Manastir është gjetur ushqim i pasigurt në masën 241 kilogramë, i cili sipas vendimit të inspektorit, është asgjësuar në mënyrë të padëmshme. Për vendosjen e ushqimeve të pasigurta në treg operatori është dënuar me gjobë prej 600 euro, ndërsa personi përgjegjës në personin juridik është dënuar me gjobë prej 300 euro. Po ashtu, ky operator ushqimor është dënuar edhe me gjobë prej 300 euro dhe 150 euro në kundërvlerë në denarë”, - thonë nga AUV.

Agjencia për ushqim dhe veterinari ka hasur në parregullsi edhe në inspektimin e saj në Ohër ku edhe ka shqiptuar gjoba në pajtim me ligjin.

“Gjatë kontrollit të rregullt, në Ohër, një market është gjobitur me 1.400 euro (1000 euro për personin juridik dhe 400 euro për personin përgjegjës në personin juridik) për vendosje në treg të ushqimeve të pasigurta (produkte delikate dhe mish i grirë). Ishin pa deklarim dhe të skaduar. Për shkak të moszbatimit të kontrolleve të detyrueshme shëndetësore të punonjësve të saj, në Ohër, është gjobitur edhe një mishtore.”, thonë nga AUV.

Një pjesë e kompanive janë gjobitur me para për ushqimin e pasigurt në treg por edhe për mos kryerjen e kontrollit të obliguar shëndetësor të punonjësve. (Fitore Demolli, TVM2)