Maqedoni

BDI, veting për pasurinë e politikanëve

14.12.2024 15:07

Bashkimi Demokratik për Integrim, ka kërkuar veting...

Bashkimi Demokratik për Integrim, ka kërkuar veting të burimit të pasurisë për të gjithë politikanët në vend në 30 vitet e fundit. 
 
“Vetëm veting i burimit të pasurisë së gjithë politikanëve pa përjashtim në 30 vitet e fundit dhe zbardhja e privatizimit – garanci për sundimin e ligjit BDI i bën thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë përdorimin e propagandës antikorrupsion për përfitime partiake dhe për të krijuar një perde tymi për të mbuluar dështimet e saj në integrimin europian dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.  Në vend që të vazhdojë me këtë qasje manipulimi dhe drejtësie selektive, kërkojmë që qeveria të fillojë pa vonesë një proces të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të vetingut për të hetuar burimin e pasurisë së politikanëve gjatë 30 viteve të fundit dhe mënyrën se si janë kryer proceset e privatizimit. Kjo është mënyra e vetme për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm ligjor”, thonë nga BDI.  
 
VLEN, Artan Grubi i bëri vetting BDI-së!
 
Kanë reaguar nga Kualicioni Vlen, prej ku thonë se Artan Grubi i bëri vetting BDI-së!
 
“Kur BDI flet për vetting, është njëjtë sikur t’ia kthejë shpinën aleatit të përhershëm të shqiptarëve, SHBA-së. Kjo parti tenton të tallet si me shqiptarët, ashtu edhe me mikun e përhershëm të tyre. Nuk ka kaluar as një javë kur SHBA-të futën në listë të zezë hijen e Ali Ahmetit, Artan Grubin. Meqë kanë dëshirë të flaktë për vetting, tashmë vetting BDI-së i bëri Artan Grubi. Shqiptarët e dijnë mire se në prapavijë të retorikës së zjarrtë “patriotike” fshihen interesat e pastra financiare të klanit të oligarkëve politikë të cilëve po u troket në derë përgjegjësia për korrupsion!  E këtë ua bëri me dije edhe aleati jonë i përhershëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në reagimin e VLEN, ndaj kërkesës së BDI-së për veting ndaj politikanëve në 30 vitet e fundit. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI