Botë
Joprdani: SHBA, Turqia dhe BE në takim për Sirinë
14.12.2024 17:18
Kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara, Turqisë, Bashkimit Evropian dhe shteteve arabe...

Kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara, Turqisë, Bashkimit Evropian dhe shteteve arabe, janë takuar në Jordani për të biseduar për Sirinë, pas rrëzimit të regjimit brutal të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Rusia dhe Irani, mbështetësit kryesorë të Assadit, nuk janë ftuar në takim. Administrata në shkuarje e presidentit amerikan, Joe Biden, ka krijuar kontakte me grupet rebele që kanë rrëzuar Assadim, përfshirë grupin Hayat Tahrir al-Sham, i cili nisi një ofensivë të befasishme, e cila rezultoi me marrjen e kontrollit në Damask në fundjavën e kaluar. Biden e ka dërguar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në rajon këtë javë, në kërkim e sipër të mbështetjes për parimet që Uashingtoni beson se do t’i ndihmonin Sirisë për tranzicion politik, përfshirë respektimin e minoriteteve.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka njoftuar për hapjen e ambasadës turke në Damask. Në diskutime kanë marrë pjesë, sekretari Blinken, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, diplomati turk, Fidan, si dhe ministrat e Jashtëm të Jordanisë, Arabisë Saudite, Irakut, Libanit, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit dhe Katarit.
