Maqedoni
BDI kritika ndaj qeverisë dhe koalicionit VLEN
15.12.2024 15:43
Gjatë javës që po e lëm pas BDI vlerëson se u demonstrua qartë agjenda...

Gjatë javës që po e lëm pas BDI vlerëson se u demonstrua qartë agjenda e qeverisë për të provokuar harmoninë ndëretnike, për të sulmuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të kufizuar të drejtat kolektive të komuniteteve në këtë shtet, të ndërtuara me shumë mund e sakrifica.
Sipas BDI-së gjithçka nisi me vendimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për të ekzekutuar urdhrat e partisë, duke realizuar iniciativat që VMRO-DPMNE ka dërguar për të sfiduar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe duke vazhduar seancën, pavarësisht largimit të gjykatësve nga komunitetet etnike.
“Për më tepër, thirrjet për debat publik për rinegocimin e Marrëveshjes së Ohrit janë një sulm direkt ndaj themeleve të harmonisë sonë ndëretnike. Vetëm qëndresa e qytetarëve parandaloi këtë ekzekutor partiak të destabilizojë ekuilibrat etnikë të ndërtuar me shumë mund e sakrifica. Përderisa kryeministri vazhdon të heshtë ndaj thirrjeve tona për të tërhequr këto iniciativa nga Gjykata Kushtetuese, qeveria e tij vazhdon kufizimin praktik në përdorimin e gjuhës shqipe. Këtë javë pamë qartë sesi në ligjet që qeveria dërgon në Kuvend, gjuha shqipe po eliminohet, në kundërshtim të plotë me Ligjin aktual për Përdorimin e Gjuhëve. Po kështu, Ministri i Arsimit ka propozuar një ligj që synon supremacinë monoetnike në proceset arsimore, duke imponuar himnin maqedonas në të gjitha shkollat, pavarësisht përkatësisë etnike të nxënësve, dhe duke krijuar një asimetri gjuhësore dhe kulturore në bazat e të dhënave arsimore”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie politikanët shqiptarë në këtë qeveri, të përzgjedhur nga VMRO për të luajtur rolin e përfaqësuesit të shqiptarëve, janë një faktor me zero ndikim për shkak të frikës ndaj padronit të tyre, dobësisë dhe korrupsionit të tyre të përditshëm, duke dëmtuar kështu të gjitha arritjet drejt barazisë.
Ibrahimi, a ka Ali Ahmeti vizë amerikane?
Ndërkohë Kryetari i partisë Alternativa Zeqirja Ibrahimi, nga një tubim partiak ka pyetur publikisht A ka Ali Ahmeti vizë amerikane?
“Në korrik të vitit 2023, kam parashtuar pyetjen se cili nga ish-ministrat e BDI-së nuk ka vizë amerikane. Në atë kohë, shumë njerëz më pyesnin nëse është e vërtetë dhe çfarë po ndodh. Sot, është bërë e qartë se disa prej tyre nuk kanë pasur vizë amerikane sepse janë në listën e zezë amerikane.Unë sot e shtroj edhe një pyetje tjetër, a ka Ali Ahmeti Vizë amerikane”, u shpreh Kryetari i partisë Alternativa Zeqirja Ibrahimi.
VLEN, Grubi duhet të mbahet sa më larg studentëve!
Nga kualicioni VLEN poashtu me anë të një reagimi kanë theksuar se: Hija e Ali Ahmetit, Artan Grubi, tani i shpallur nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person i përfshirë në korrupsion për ta shpëtuar Sasho Mijallkovin, nuk ka vend në mesin e studentëve!
“Pyesim publikisht Artan Grubin, a do të tërhiqesh nga Universiteti i Tetovës sepse je shembull i zi për studentët?. Të rinjtë që janë e ardhmja e shoqërisë, nuk mund të marrin shembull nga një person i korruptuar që ka ndërhyrë edhe në procese gjyqësore. Universiteti i Tetovës të mbajë larg Artan Grubin të mbrojnë studentët nga ky person i futur në listë të zezë. I korruptuar, që ka keqpërdorur pozitën e tij nga shërbyes publik është shndërruar në shërbyes të Mijallkovit”, theksojnë nga kualicioni VLEN, duke shtuar se nuk do të lejojnë që disa zhvatës e kriminelë ordinierë të shkatërrojnë të ardhmen e një populli të tërë, e sidomos të ardhmen e rinisë.
VLORAL LATIFI TOPOJANI
