Botë
Prokuroria Speciale: Kurti nuk u paraqit për intervistim
16.12.2024 14:10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për intervistim si dëshmitar...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për intervistim si dëshmitar, pasi ndodhet në udhëtim jashtë vendit. Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi, duke shtuar se Kurti do të marrë një ftesë të dytë.
“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal ku kjo prokurori e ka nën hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, PSRK-ja është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. PSRK-ja konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër.”, - deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi.
Kryeministri Kurti nuk e ka komentuar këtë thirrje, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka shkruar në rrjetin social Fejsbuk se përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025. Në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 Kurtit iu pamundësua kandidimi për shkak të një vendimi gjyqësor.
GYLTENE SINANI
