Botë
Shqipëri, nesër, konferenca e tretë ndërqeveritare me BE-në
16.12.2024 15:08
Shqipëria do të ulet nesër në konferencën e tretë ndërqeveritare me BE-në...

Shqipëria do të ulet nesër në konferencën e tretë ndërqeveritare me BE-në si një hap më pranë anëtarësimit. Unioni ka miratuar Pozicionin e Përbashkët për Klasterin 6, që përfshin Marrëdhëniet me jashtë, si dhe Politikën e Jashtme, të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kapituj për të cilët të martën çelen zyrtarisht negociatat.
Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa pjesëtarë do të jenë edhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani, dhe kryenegociatorja, Majlinda Dhuka.
Takimi i radhës vjen pas hapjes së kapitullit të "Themelorëve" në konferencën e dytë ndërqeveritare që u mbajt më 15 tetor të këtij viti, me objekt reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
“Marrëdhëniet me jashtë” pritet të jetë grup-kapitulli që do të mbyllet më shpejt në procesin e negociatave, pasi Shqipëria e ka njësuar plotësisht politikën e jashtme me atë të BE-së, kryesisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.
Punimet në Bruksel do të nisin në orën 08:00, ndërsa rreth orës 10:00 është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Rama dhe përfaqësueseve të presidencës hungareze dhe të Këshillit të Evropës.
Një ditë më pas, më 18 dhjetor, kryeministri Rama do të përfaqësojë Shqipërinë në një tjetër tryezë, në Samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar mbi ecurinë e vendeve të rajonit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit për të gjashta vendet. Bashkimi Evropian ka konfirmuar mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e procesit të integrimit edhe përmes planit të rritjes ekonomike që synon të mbështesë ecurinë e reformave. Ndërsa anëtarësimi brenda kësaj dekade është afat objektiv dhe për komisionarin e Zgjerimit, Oliver Varheji.
LULJETA NDOKA
