Maqedoni

Investimet e huaja, Mickoski: 8 investime në 6 muaj

16.12.2024 15:39

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, është zotuar se kjo Qeveri është shumë e përkushtuar në thithjen e investimeve të huaja...

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, është zotuar se kjo Qeveri është shumë e përkushtuar në thithjen e investimeve të huaja dhe se për më pak se gjashtë muaj janë lansuar tetë investime të reja në vlerë mbi 700 milionë euro, të cilat potencialisht do të punësojnë rreth 2.800 qytetarë, tha kryeministri, Hristijan Mickoski, pas mbledhjes së sotme të Këshillit të investitorëve të huaj. Sipas tij, investimet kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik lokal. 
 
“Dua ta shpreh kënaqësinë time, pasi për një afat më pak se 6 muaj kanë filluar të punojnë plotë 8 investime të reja, e të cilat janë në vlerë mbi 700 milionë euro dhe të cilat kanë për qëllim të punësojnë diku rreth 2.800 qytetarë. Dhe këto investime shtyjnë rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e standardit jetësor. Qëllimi është që këtë vit të arrijmë një miliardë euro investime të huaja direkte, që mendoj se është e arritshme dhe për kokë banori të jemi më të mirët në rajon ose ndër liderët e paktë në Evropë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski po ashtu foli edhe për harmonizimin e taksës minimale globale, që sipas Mickoskit, investitorët e huaj e kanë pranuar që duhet të paguajnë më shumë nëse i plotësojnë kriterin e qarkullimit dhe fitimit. 
 
“Diskutuam për taksën e vetme që po shqyrtojmë aktualisht, atë që duhet të harmonizohet me legjislacionin maqedonas lidhur me taksën globale të korporatave, e që mendoj se janë të vetëdijshëm të gjithë investitorët e huaj. Mendoj se është e drejtë dhe korrekte që qytetarët e Maqedonisë, ato kompani që fitojnë këtu, të paguajnë në buxhetin tonë pesë për qind më shumë se tatimi  yonë prej dhjetë për qind. Pra, investitorët do të ndahen në tri shtylla edhe atë mbi 750 milionë euro qarkullim global dhe mbi 10 milionë qarkullim në vend dhe mbi 1 milion euro që kanë fitim në vit.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Ai iu referua edhe investimeve të brendshme. Ai përkujtoi se nga sot 250 milionë euro nga kredia hungareze do të vihen në dispozicion të kompanive maqedonase.
 
FITIM KRYEZIU