Maqedoni

Bastisen shtëpitë e Grubit dhe Bajramit, dyshohet për krim në lotarinë shtetërore

16.12.2024 15:52

Shtëpitë e ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami...

Shtëpitë e ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, mëngjesin e sotëm ishin në shënjestër të policisë. Ato u bastisën, por nuk gjetën asnjërin prej tyre. Dyshohet për përfshirjen e tyre në furnizime kriminale në Lotarinë Shtetërore me aparate në vlerë prej mbi 10 milionë euro.
 
“Ekziston dyshim se të njëjtit kanë kryer më shumë vepra penale, duke shkaktuar dëm më të madh buxhetit. Gjatë bastisjeve, te njëri nga të dyshuarit janë gjetur 40 mijë euro, ndërkaq te tjetri 20 mijë euro dhe që të dy personat nuk janë të kapshëm për policinë.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski. 
 
Grubi në Kosovë, shuan zërat për arratisje
 
Ditë më parë Grubi u përfol publikisht për arratisje nga shteti në Kosovë. Por ai këtë e përgënjeshtroi mbrëmë vonë, në profilin e tij në fejsbuk, duke thënë se është për vizitë private në Kosovë.
 
“Kam udhëtuar me dokumentet e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sa po të kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi pranë familjes.”, ka shkruar Grubi.
 
Ekzistojnë dyshime që edhe Përparim Bajrami para disa muajve mund të jetë larguar në Kosovë. Gjatë bastisjes së shtëpisë së Bajramit, policia ka sekuestruar 50 mijë franga.
 
VLEN-i dhe VMRO-ja me reagime ndaj Grubit
 
Nuk kanë munguar as reagimet e partive. Nga VLEN-i thonë se BDI-ja po përpiqet të strehojë Grubin në Universitetin e Tetovës. Kërkojnë nga Universiteti të mos e pranojë Grubin si profesor universitar.
 
“Është absurde që ky person të kërkojë strehim në tempullin e dijës të shqiptarëve, që është ndërtuar, përsërisim me shumë mund dhe sakrificë.
Nuk është kjo e tëra, alarmojmë opinionin dhe kërkojmë nga udhëheqësit e Universitetit të Tetovës për vendimin që kanë marrë në shtator të këtij viti për formimin e një Komisioni recensues ta shfuqizojnë sa më parë, sepse është në kundërshtim edhe me statutin e këtij universiteti.”, - theksoi Fatmir Sabriu nga koalicioni VLEN.
 
Por, nga VMRO-DPMNE-ja aludojnë që Grubi bashkë me LSDM-në kanë ndikuar ndaj proceseve gjyqësore.
 
“Grubi e ka shfrytëzuar pozicionin e zëvendëskryeministrit dhe funksionar i lartë i BDI-së, që të pasurohet nga ryshfeti dhe korrupsioni. Grubi nuk është i vetëm. Veprimi i tillë është sistem i punës së BDI-së dhe LSD-së kur synojnë pushtetin.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.
 
BDI: Aksionet policore, antishqiptare
 
BDI-ja aksionet policore i quan antishqiptare. Kërkon nga VMRO-DPMNE-ja që të ndërpresë instrumentalizimin e institucioneve.
 
“Edhe një herë  i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE së të ndalojë instrumentalizimin e institucioneve të shtetit dhe keqpërdorimim  e faktit që shqiptarët sot nuk kanë përfaqësues të mirëfilltë në qeveri, por vetëm disa politikanë të korruptuar që ju i keni zgjedhur për të luajtur rolin e “përfaqësuesve” të shqiptarëve.”, thonë nga BDI.
 
Mickoski: BDI-ja bën piar të gabuar
 
Kryeministri Mickoski i habitur nga porositë e BDI-së, duke thënë se aksionet policore po luftojnë krimit dhe korrupsionit, ku viktima kanë qenë edhe shqiptarët.
 
“Ekziston proces dhe procesi do të dëshmohet, por kjo porosi e BDI-së nuk është as politikë ditore. Është turp për një strukturë politike, e cila për 20 vjet ka qenë pjesë e proceseve dhe e di saktë se si funksionon.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Kryeministri thotë se posedon informacione për keqpërdorime në Lotarinë e Maqedonisë nga disa ish-funksionarë të lartë shtetërorë. Këtë e pohon edhe ministri Toshkovski, duke thënë se për keqpërdorimet dyshohen 8 persona, përfshi edhe ish-kryeministrin e vendit.
 
MERAL ISMAILI