Maqedoni

Intonimi i himnit në shkolla, Janevska: BDI-ja të mbështesë propozim-ligjin

16.12.2024 16:06

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pret që deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim ta mbështesin propozim-ligjin...

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pret që deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim ta mbështesin propozim-ligjin për arsimin e mesëm, për të cilin shprehën vërejtje për këndimin e himnit kombëtar në shkolla dhe paralajmëruan amendamente për propozimin që duhet të kalojë në fazën e dytë të miratimit. Sipas Janevskës është jashtëzakonisht e paarsyeshme të ndalet ligji për arsimin e mesëm, i cili nuk është ndryshuar për më shumë se 20 vjet. 
 
“Është një kompliment për ministrinë që nuk u gjet asnjë e metë tjetër, por mendoj se është jashtëzakonisht e paarsyeshme të ndalohet ligji për arsimin e mesëm, i cili ka më shumë se 20 vjet që nuk ka ndryshuar, për të mos mundur  të zbatohen risitë që shteti i pret të paktën shtatë vjet, e me sa duket më shumë, për shkak të një diskutimi të tillë. Ligji sot është në rend dite të seancës parlamentare. Shpresoj se deputetët e BDI-së do të gjejnë forcë për ta tejkaluar situatën politike apo vlerën politike që de facto nuk është vlerë dhe do të mbledhin forcat për ta miratuar ligjin pas leximit të dytë.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. 
 
BDI-ja dënon ashpër tendencat monoetnike
 
Por, Elmi Aziri nga Fronti Evropian kërkoi që propozim-ligji për arsimin e mesëm të hiqet nga rendi i ditës, për shkak të ndjeshmërisë së ligjit, i cili prek të gjitha komunitetet etnike, por propozimi i tij nuk u pranua. Edhe deputetja Pasholli nga radhët e BDI-së tha se nuk ka asnjë shtet që imponon himnin shtetëror në shkollat e mesme, kur himni nuk reflekton identitetin e të gjitha bashkësive etnike. 
 
“Si Front Evropian dënojmë ashpër tendencat për minimizimin e barazisë multietnike si garanci për stabilitet dhe të ardhmen e RMV-së. Dënojmë ashpër çdo përpjekje të kësaj Qeverie monoetnike për të imponuar frymë kundër Marrëveshjes së Ohrit, përmes propozim-ligjeve që imponojnë dominancën etnike në kurriz të bashkësive të tjera etnike.”, - theksoi Arbana Pasholli nga BDI.
 
LSDM: Mungon debati publik
 
Nga LSDM-ja akuzojnë se pa debat publik, Qeveria po bën ndryshime ligjore që e kthejnë prapa procesin arsimor. 
 
“Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport, si dhe ministrja Janevska, nuk e kanë treguar kapacitetin e tyre demokratik dhe nuk e kanë pranuar propozimin tonë për debat publik për të gjitha ligjet që janë vënë në rend dite. Me këtë ata përjashtuan opinionin dhe komunitetin e ekspertëve nga shprehja e mendimeve dhe argumenteve të tyre.”, - u shpreh Daniela Nikollova nga LSDM.
 
KShPK: Kuvendi të organizojë debate publike
 
Edhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Diskriminimit i bëri thirrje Kuvendit të organizojë debate publike për ligjet në fushën e arsimit.
 
“Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka një interes të madh për ndryshimin dhe plotësimin e këtyre ligjeve, sepse ne e shohim fushën e arsimit si një fushë kyçe në të cilën duhet të promovohet barazia për nxënësit që nga mosha më e re, për t'u mbrojtur nga diskriminimi dhe dhuna e njëanshme dhe t'i përvetësojmë këto interesa demokratike në përputhje me rendin tonë kushtetues.".
 
Ligji i ri për Arsimin e Mesëm parasheh që në fillim dhe në fund të vitit shkollor, në përfundim të arsimit të mesëm, në festën e patronateve, si dhe në festa të tjera, të këndohet himni kombëtar. BDI-ja e konsideron se fëmijët do ta refuzojnë këtë, sepse himni nuk pasqyron identitetin e shqiptarëve.
 
FLUTURA LATIFI