Maqedoni

Bastisje tek 24 persona në Shkup, padi për vepra të rënda kriminale për 18 persona

16.12.2024 16:21

MPB-ja mbrëmë ka realizuar një aksion policor në rajonin e Çairit, Haraçinës, Shuto Orizarës, Butelit dhe Studeniçanit...

MPB-ja mbrëmë ka realizuar një aksion policor në rajonin e Çairit, Haraçinës, Shuto Orizarës, Butelit dhe Studeniçanit, ku në bashkëpunim me prokurorin publik në Qendrën Hetimore të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rezultuar më shpërbërjen e një grupi kriminal. Me kërkesë të prokurorit publik dhe në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale - Shkup, janë kryer bastisje në 30 lokacione ku janë gjetur sasi e madhe e parave, mjete motorike dhe armë. 
 
“Për rastin e dytë që është realizuar mbrëmë, MPB-ja ka kryer bastisje tek 24 persona në gjithsej 30 lokacione, nga të cilat 28 në rajonin e Shkupit dhe dy në Veles. Deri më tani janë gjetur armë, mbi 30 milionë denarë, 5 automjete janë konfiskuar, etj. Bastisjet janë duke u kryer edhe tani dhe janë duke vazhduar. 18 personave në fjalë u është lëshuar padi për disa vepra të rënda kriminale, siç janë vrasje dhe tentim vrasje, të cilat janë kryer gjatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe rastin në “Shisha Bar”. Gjatë vitit 2020 të njëjtit kanë krijuar grupacion për kryerjen e vrasjeve, ku organizatorët kanë sjellë vendin se ku, kush dhe si të kryhen veprat. Organizatorët kanë kryer disa vrasje dhe tentim vrasje, si dhe vendosjen e zjarrit në disa bastore.”, - deklaroi ministri i MPB-së, Pançe Toshkovski.
 
Prokurori publik në fjalë ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj 18 personave për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se 14 persona kanë kryer veprën e vrasjes, 12 persona janë të dyshuar edhe për veprën penale Bashkim Kriminal. Sipas përshkrimit në dispozitiv të urdhrit, i dyshuari i parë, i cili aktualisht është në vuajtje të dënimit me burg, së bashku me katër persona të tjerë, dy prej të cilëve janë në mbajtje, një person i privuar nga liria dhe një person i vdekur, ka krijuar një grup me qëllim të kryerjes së veprës penale të vrasjes. 
 
“Organizatorët e grupit kriminal përgatitën plane dhe morën vendime se kush, ku, kur dhe në çfarë mënyre do të likuidohet. Në të njëjtën kohë, vendimet i kanë zbatuar personalisht ose përmes anëtarëve të tjerë të grupit, duke paguar nga 10 mijë deri në 250 mijë euro për vrasje. Pra, në emër të mbështetjes së lëvizjes radikale ose për hir të hakmarrjes së pamatur ndaj personave të një grupi kriminal kundërshtar, në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, në gjashtë ngjarje penale juridike. Prokurori publik kompetent, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet për katër të privuarit nga liria, do t'i dorëzojë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale - Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa tre nga të dyshuarit janë në vuajtje të dënimit me burgim dhe dy persona janë në paraburgim për krime nga ngjarje të tjera penale. Personi i cili sapo është paraqitur në stacionin policor i nënshtrohet masave të paracaktuara për një ngjarje të dyshuar kriminale.”, - thanë nga Prokuroria Publike.
 
Sipas organeve kompetente, urdhëresat ndërkombëtare janë lëshuar për dy të dyshuar nga më herët dhe gjashtë janë të padisponueshëm për autoritetet e zbatimit të ligjit. Ky grup, sipas autoriteteve nga fillimi i vitit 2023 deri në tetor të vitit 2024, duke vepruar sipas roleve të ndara me qëllim të përfitimit të pasurisë së konsiderueshme, në disa raste ka kryer edhe veprën penale të zhvatjes, duke i vënë flakën disa objekteve në territorin e qytetit të Shkupit.


FITIM KRYEZIU