Botë
Zhvillime në Lindjen e Afërt
16.12.2024 17:07
Negociatat për zgjidhjen e krizës në Rripin e Gazës po përparojnë....

Negociatat për zgjidhjen e krizës në Rripin e Gazës po përparojnë. Ekziston gatishmëri serioze për një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e konfliktit, e cila mund të nënshkruhet deri më 25 dhjetor, raportojnë mediat libaneze. Raportet vijnë në një kohë presioni intensiv mbi forcat izraelite në Gazë. Tel Avivi nisi një tjetër sulm në një shkollë tjetër në enklavë, duke e çuar numrin e të vdekurve në gati 70 në 24 orët e fundit.
“Ata bombarduan shkollën, e cila ishte strehë për fëmijët. Në të nuk kishte luftëtarë të rezistencës. Si mund të bombardojnë një shkollë?”, - theksoi palestinezja, Mona Kamel.
Sulme masive me raketa pati në objektet ushtarake në rajonet siriane të Latakisë dhe Tartusit. Moska konfirmoi vazhdimin e transferimit të personelit ushtarak dhe pajisjeve nga Siria, nuk ka një vendim përfundimtar për të ardhmen e bazave ushtarake.
“Për momentin nuk ka vendime përfundimtare për këtë çështje. Jemi në kontakt me përfaqësuesit e forcave që aktualisht po kontrollojnë situatën në vend dhe e gjithë kjo do të përcaktohet gjatë dialogut.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dimitrij Peskov.
Tel Avivi ka dyfishuar vendbanimet izraelite në lartësitë e Golanit. Dënimi i masës erdhi nga Iraku, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ata thonë se vendimi do të përshkallëzojë tensionet në rajon. Netanjahu pretendon se nuk dëshiron një konflikt me Damaskun.
"Ne nuk kemi asnjë interes të përballemi me Sirinë. Do të përcaktojmë politikën sipas realitetit që shfaqet në terren. Por, ne mbetemi të përkushtuar për të parandaluar riarmatimin e Hezbollahut.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Kreu i Gardës Revolucionare të Iranit ka kërcënuar se Izraeli do të paguajë një çmim të lartë dhe do të varroset në Siri.
“Pas rënies së regjimit sirian, patë se çfarë incidentesh të tmerrshme po ndodhnin. Sionistët do të paguajnë një çmim të lartë, ata do të varrosen në këtë vend, megjithëse do të duhet pak kohë.”, - u shpreh kreu i Gardës Revolucionare iraniane, Hosein Salami.
Situata në Siri është në krye të agjendës në takimin e ministrave të jashtëm evropianë në Bruksel.
FITORE DEMOLLI
