Maqedoni

Prokuroria e Shkupit kërkon paraburgim për Grubin dhe Bajramin

17.12.2024 11:17

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar që ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi...

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar që ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, të dërgohet në paraburgim “sapo të arrestohet” si i dyshuar për përvetësim gjatë detyrës zyrtare. Në hetime janë siguruar prova për dyshime të bazuara se dy të akuzuarit Grubi dhe Bajrami si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionare “Lotaria Shtetërore”, gjatë vitit 2023 kanë dëmtuar buxhetin e Shoqatës me 501 milionë denarë, duke përvetësuar kundërligjshëm pasuri.

Në njoftim thuhet se masa e paraburgimit duhet të zbatohet “menjëherë pas lokalizimit dhe arrestimit” të Grubit, i cili besohet se ndodhet jashtë vendit. Në kuadër të hetimeve dhe bastisjeve në lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpitë e Grubit dhe Bajramit, janë siguruar prova që ngjallin dyshime se dy të akuzuarit, si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionare “Lotaria Shtetërore”, gjatë vitit 2023, kanë shkaktuar “dëme në buxhetin e Shoqatës në vlerë mbi 8 milionë euro, duke përvetësuar pasuri në mënyrë të kundërligjshme”. 
 
I  akuzuari  Përparim Bajrami në rolin e kryetarit të Këshillit Drejtues – drejtor gjeneral në “Lotarinë Shtetërore’, më 9 maj të vitit 2023 kishte kërkuar nga Qeveria e RMV-së për blerjen e terminaleve VLT dhe zbatimin e tyre për realizimin e lojërave elektronike të fatit. Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se i akuzuari ishte i vetëdijshëm se blerja e tyre ishte e panevojshme, pasi “Lotaria Shtetërore”, në bazë të Ligjit për lojërat e fatit nuk kishte të drejtë të organizojë lojërat elektronike të fatit. Përvetësimi i pasurisë së paligjshme nga një zyrtar gjatë detyrës është i dënueshëm me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut. 
 
Përveç Grubit e Bajramit, në mesin e të dyshuarve bëhet fjalë edhe për ish-kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski. Grubi, më herët, pas futjes në listën e zezë amerikane, njoftoi tërheqjen e tij nga jeta politike dhe publike.