Maqedoni
VLEN: S’do të ketë tolerancë për krimin dhe korrupsionin
17.12.2024 11:38
VLEN-i thotë se aksionet policore janë dëshmi se lufta ndaj personave të kriminalizuar do të jetë e pakompromis....

VLEN-i thotë se aksionet policore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë dëshmi se lufta ndaj personave të kriminalizuar do të jetë e pakompromis.
“Hija e Ali Ahmetit, Artan Grubi dhe klika e BDI-së shfrytëzoi çdo ditë të këtyre dy dekadave për të pasuruar xhepat, për të vjedhur dhe për të abuzuar me pushtetin, duke u bërë sinonim i krimit dhe korrupsionit. Sot, pasojat janë të qarta, mijëra shqiptarë janë detyruar të braktisin vendin e tyre për një jetë më të mirë.”, thonë nga VLEN-i. “VLEN-i është e vendosur të mbështesë një luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, duke kontribuar për ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe të ndershëm që ndalon këtë eksod dhe siguron një të ardhme më të mirë për çdo shqiptar.”.
“Që nga momenti kur jemi bërë pjesë e Qeverisë, kemi hasur në shkelje të rënda dhe parregullsi në çdo fushë dhe institucion. Pavarësisht këtyre sfidave, VLEN-i po punon me përkushtim të plotë për ta shndërruar këtë sistem të dështuar në një sistem funksional dhe efektiv, që u shërben qytetarëve dhe jo grupeve të interesit”, thonë nga VLEN-i.
“Koha e montimeve dhe eliminimeve politike ka përfunduar. Institucionet janë të përkushtuara të trajtojnë çdo rast në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, duke u fokusuar te shkelësit e ligjit, pa bërë dallime.”, thonë nga VLEN-i.
