Botë

Konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri – BE, Rama: Anëtarësimi ynë në BE, brenda kësaj dekade

17.12.2024 14:24

Në Bruksel, Shqipëria çeli këtë mes-dhjetor negociatat për 2 kapitujt e radhës, që përfshijnë marrëdhëniet me jashtë...

Në Bruksel, Shqipëria çeli këtë mes-dhjetor negociatat për 2 kapitujt e radhës, që përfshijnë marrëdhëniet me jashtë, politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes, proces që e çon vendin një hap më pranë anëtarësimit në BE. Ambicia për kryeministrin Edi Rama shkon deri në anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade.
 
“Ambicia jonë nuk është sekret. Ne duam të sigurohemi që kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe negociatat tona të mbyllen në vitin 2027 dhe me shpresë anëtarësimi ynë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade. Është shumë ambicioze, por e kemi ndarë këtë jo vetëm me presidencën hungareze dhe komisionin që na ka mbështetur.", - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Rama nuk nguroi t’i kujtonte Brukselit zvarritjen e procesit ndër vite.
 
Në konferencë, ministri i Jashtëm i Hungarisë që mban presidencën e BE-së tha se Shqipëria ka bërë në dy muaj një progres që nuk e kishte bërë në 15 vite.
 
“Më shumë ka ndodhur në 2 muajt e fundit se në 15 vitet e kaluara. Kjo paraqet sukses për Shqipërinë, presidencën hungareze dhe BE-në.  Është interesi ynë i përbashkët që ky vend të ketë sukses dhe t’ia arrijë. E rëndësishme për BP-në dhe Shqipërinë, anëtarësimi i saj do ta forconte BE-në duke parë edhe progresin ekonomik që ajo ka bërë.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijatro.
 
Një gur kilometrik për Shqipërinë e cilësoi edhe Marta Kos, komisionarja për zgjerim.
 
“E vlerësoj angazhimin e shteteve anëtare të BE-së, ky vendim i sotëm është sinjal për Shqipërinë dhe Ballkanin se zgjerimi është prioritet për BE-në. Falënderoj presidencën hungareze dhe shpresoj se presidenca polake të vazhdojë përpjekjet e tyre.”, - u shpreh komisionarja për zgjerimin në BE, Marta Kos.
 
Tashmë në total, Shqipëria ka hapur 7 nga 33 kapitujt, pasi më 15 tetor të këtij viti çeli negociatat për 5 kapitujt që trajtojnë çështje themelore të drejtësisë dhe kontrollit financiar.
 
LULJETA NDOKA