Maqedoni

Inspektim i jashtëzakonshëm në Klinikën e Fëmijëve, të enjten priten informata për foshnjën e vdekur

17.12.2024 14:41

Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor po kryejnë inspektim të jashtëzakonshëm në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve....

Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor po kryejnë inspektim të jashtëzakonshëm në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve. Mbikëqyrja vjen pasi dje ka pasur informacione se në Klinikë ka ndërruar jetë një foshnjë shtatëmuajshe, e cila ka pasur dëmtime në disa organe, pas së cilës gjendja është përkeqësuar dhe pasojat për foshnjën kanë qenë fatale. 
 
“Gjatë ditës së sotme është lëshuar urdhër për një inspektim të vetëm të jashtëzakonshëm në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve me të dhëna për foshnjën e vdekur shtatëmuajshe, e cila sipas deklaratave të drejtorit aktual është sjellë me dëmtime të rënda në disa organe. Pas konstatimit të gjendjes faktike, sa i përket pritjes, ofrimit të kujdesit shëndetësor, si dhe regjistrimit, do të dalim me të dhëna më konkrete gjatë ditës së nesërme.”, - deklaroi drejtori i Inspektoratit, Kiril Llazov. 
 
Kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, sipas të cilëve fakti se 5 fëmijë kanë vdekur në më pak se dy muaj, tregon se koha është që dikush të mbajë përgjegjësi.
 
“Vdekja e një tjetër fëmije të pafajshëm në Klinikën Universitare për Fëmijë është një tragjedi që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi. Kjo është hera e pestë që dëgjojmë për humbjen e një jete të re, brenda dy muajve, ndërsa sistemi shëndetësor është lënë në autopilot dhe ministri i Shëndetësisë merret me agjenda të partisë. Në emër të përgjegjësisë ndaj qytetarëve, kërkojmë menjëherë dorëheqjen e drejtorit të Klinikës dhe ministrit të Shëndetësisë. Mospërgjegjësia dhe paaftësia e paprecedentë po u  kushton jetë fëmijëve tanë më të dashur. Ky është një alarm që nuk mund të injorohet më.”, thonë nga BDI.
 
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e vdekshmërisë së të porsalindurve dhe fëmijëve deri në 5 vjeç është rritur me 15% në vitin 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 
 
FLUTURA LATIFI