Universiteti Shtetëror i Tetovës shënoi 30-vjetorin e themelimit me Akademi Solemne
Universiteti i Tetovës me një Akademi Solemne....

Universiteti i Tetovës me një Akademi Solemne shënoi 30-vjetorin e themelimit, me ç’rast në këtë 30-vjetor shpalli “Doctor Honoris Causa” kryetarin e parë të PPD-së, Nevzat Halilin.
Halili, si kryetari i PPD-së, ka qenë njeriu që ka përkrahur hapjen e universitetit. Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli, tha se UT-ja nuk është thjesht ndërtesë, por simbol i kombit tonë.
“Sot po festojmë vitin jubilar të një institucioni arsimor, i cili u themelua nga guximi, vullneti dhe përkushtimi i popullit tonë në një kohë kur ideja për një universitet në gjuhën shqipe përballej me sfida dhe kundërshtime të mëdha. Universiteti ynë nuk është thjesht vetëm ndërtesë, ai është simbol i përpjekjeve dhe besimit të një kombi në besimin e dijes. Sivjet nderojmë kontributin e profesor Nevzat Halilit, të cilin e kemi propozuar për “Doctor Honoris Causa” për veprimtarinë e tij të çmuar në mbështetje të çështjes shqiptare për kontributin në sferën e arsimit, politikës dhe jetës publike, si dhe në përkrahjen e vazhdueshme të UT-së nga ditët e para të themelimit deri më tani.”, - deklaroi rektori i UT-së, Jusuf Zejneli.
Pas marrjes së titullit “Doktor Honoris Causa”, Nevazat Halili tha se rruga deri në hapjen e UT-së nuk ka qenë e lehtë dhe se shumë shqiptarë kanë vuajtur nëpër burgje. Halili tha se kjo sakrificë erdhi pasi shteti ynë nuk donte që shqiptarët të studiojnë në gjuhën e tyre.
“Fadil Sulejmanin e kam pas shok shumë më herët, me të cilin në një periudhë kohore e kemi ndarë edhe qelinë në burg, për të themeluar këtë universitet, i cili nuk është themeluar për ndonjë qëllim për të dëmtuar apo për të keqen e dikujt. Arsimi askund në botë nuk të çon nga e keqja, por nga e mira. Themelimi i universitetit nuk ishte shumë e lehtë, ka qenë i vështirë, ndoshta nuk do të ishte shumë i vështirë po që se do të kishim një mirëkuptim më të madh sa që pati shteti. Ashtu ka qenë një politikë sa erdhëm nga komunizmi, ende ishin bindjet e mëhershme se shqiptari mund të ishte njeri që quhet “njeriu me sharrë në krah”. Shqiptarët askush në botë nuk mund t’i quajë më shqiptarë me “sharrë në krah”, pasi në këtë universitet studiojnë mbi 15 mijë student dhe kanë diplomuar mijëra të tjerë.”, - theksoi Nevzat Halili, i shpallur “Doctor Honoris Causa”.
Ndërkohë në këtë jubilar të 30-të të UT-së është hapur edhe këndi i ish-rektorit, Fadil Sulejmani dhe muzeu i tij. Ndërsa ishin të pranishëm shumë figura të institucioneve dhe ambasadorë.
Në këtë 30-vjetor të Universitetit ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare, të cilët takuan edhe kreun e Tetovës, Bilall Kasamin, ku i premtuan bashkëpunim në të ardhmen, me qëllim që një ditë edhe ato të investojnë në projektet madhore të Tetovës. (Visar Sadiku, TVM2)
