Maqedoni
Keqpërdorimet në Lotari, Mexhiti: Askush nuk është mbi ligjin
17.12.2024 15:51
Askush nuk është mbi ligjin dhe do të përballet me drejtësinë, deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti...

Askush nuk është mbi ligjin dhe do të përballet me drejtësinë, deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, me ngritjen e hetimeve ndaj paraardhësit të tij, Grubi, dhe ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Mexhiti duke mos e komentuar vendndodhjen e Artan Grubit në Kosovë, deklaron se organet e hetuesisë do ta thonë fjalën e fundit për krimin në Lotari.
“Fjalën kryesore e kanë organet e rendit, në veçanti Gjyqësia dhe Prokuroria. Nuk do të ndërhyjmë, do të respektojmë rregullin derisa nuk dënohen, pra shpallen fajtorë. Ajo që nuk është paraqitur, sërish do t’ia lëmë organeve të rendit. Me rëndësi porosia është që askush nuk është mbi ligjin. Gjithkush që e ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet para ligjit, ose nesër ose pasnesër. Mirëpo patjetër do të ketë ballafaqim.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
Lefkov: Grubi të kthehet në Maqedoni
Mexhiti thotë se skandali në lotari është veprimtari më e gjerë, pasi nën llupën e gjyqësorit janë edhe gjashtë ish-zyrtarë të tjerë. Nga VMRO-DPMNE-ja ftojnë Grubin të kthehet në Maqedoni dhe të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë.
“Se a është i pastër si loti apo i turbullt, le ta dëshmojë para gjykatës, nëse ka guxim të përballet me dëshmitë. Krimi në lotari është 8 milionësh ku aktorë kryesorë janë Artan Grubi dhe Përparim Bajrami si drejtor i Lotarisë.”, - theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Faktori ndërkombëtar, i përmbajtur
Bashkimi Evropian, i përmbajtur ndaj aktiviteteve gjyqësore.
“Në këtë fazë nuk kam koment. Duhet të lejojmë Gjykatën dhe Prokurorinë të vazhdojnë hetimin dhe ta lëmë vetë drejtësinë të flasë për vete.”, - u shpreh euroambasadori, Mihalis Rokas.
Edhe ambasadorja e ShBA-së, Angela Ageler, pa koment ndaj hetimit të Prokurorisë për ish-zëvendëskryeministrit, Artan Grubit, dhe gjykatësit, Enver Bexheti, pasi që të dy u përfshinë në listën e zezë amerikane për korrupsion. Nuk jam pjesë e asnjë prej proceseve të brendshme hetuese në këtë vend, është shprehur Ageler. Më 9 dhjetor Departamenti Amerikan i Shtetit përcaktoi Grubin dhe Bexhetin për përfshirje në korrupsion nëpërmjet ryshfetit të marrë për të minuar proceset gjyqësore ndaj Sasho Mijallkovit. Pas dy ditëve, Prokuroria hapi hetime.
MERAL ISMAILI
