Botë

Lindja e Mesme, sirianët nuk u besojnë pretendimeve të Asadit

17.12.2024 16:39

Asadi pretendon se nuk kishte ndërmend të largohej nga vendi, ai planifikoi të vazhdonte luftimet pasi u transferua në bazën në Latakia...

Asadi pretendon se nuk kishte ndërmend të largohej nga vendi, ai planifikoi të vazhdonte luftimet pasi u transferua në bazën në Latakia në koordinim me aleatët rusë, thuhet në komentet e para publike të liderit të rrëzuar sirian të publikuara në rrjetet sociale. Megjithatë, Moska vendosi ta transferojë atë në Rusi pasi objekti u sulmua.
 
“Në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk kam menduar të tërhiqem apo të kërkoja strehim. Nuk u largova nga vendi siç u raportua më parë. E vetmja mënyrë veprimi ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist.”, shkroi Asadi në deklaratën e tij.
 
Banorët e Damaskut janë skeptikë në lidhje me pretendimet e tij.
 
"Kushdo që është i zgjuar e di se ai la popullin e tij shumë kohë më parë.", - tha banorja siriane e Damaskut, Amal al-Khaldi.
 
“Plani është shumë i qartë – të kujdeset për fëmijët dhe gruan e tij në Rusi, në mënyrë që nëse njerëzit dhe ushtria e lënë atë, ai të mund të ikë tek ata.”, - tha shtetasi sirian nga Dara, Mohamed Al-Hariri.
 
Qeveria e re e Sirisë i bëri thirrje Moskës të rishikojë praninë e saj në vend, pasi automjetet ushtarake ruse vazhduan të tërhiqen nga një bazë në Latakia drejt Tartusit.
 
“Rusia duhet të rishqyrtojë praninë dhe interesat e saj në territorin sirian, që ishin të lidhura me regjimin kriminal të Asadit. Ata mund të mendojnë dhe të fillojnë kontakte me administratën e re, për të treguar se nuk janë armiq dhe se epoka e Asadit ka përfunduar më në fund.”, - deklaroi zëdhënësja e Departamentit Politik të qeverisë së re transitore siriane, Obeida Arnaut.
 
Situata, megjithatë, mbetet e paparashikueshme. Trupat izraelite vazhduan të operojnë në zonën tampon të demilitarizuar në lartësitë e Golanit. Udhëheqësi rebel Al-Shara tha se ai nuk dëshiron një konflikt me Tel Aviv, por se Izraeli nuk ka më një justifikim për sulme ajrore tani që prania e Hezbollahut dhe grupeve pro-iraniane në Siri është zhdukur. Ai kërkoi tërheqjen e menjëhershme të ushtrisë dhe ndalimin e sulmeve. Në të njëjtën kohë, Izraeli vazhdoi sulmet e tij në Gazë.
 
FITORE DEMOLLI