Maqedoni
Gjykata Penale Shkup, paraburgim për Grubin dhe Bajramin
17.12.2024 18:04
Gjykata Penale pranoi kërkesën e Prokurorisë Themelore Publike...

Gjykata Penale pranoi kërkesën e Prokurorisë Themelore Publike për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit e rastit “Lotaria Shtetërore”, Artan Grubi dhe Përparim Bajrami.
“Masa do të zbatohet në momentin kur të dyshuarit do të jenë në dispozicion të organeve të rendit ose nëse në ndërkohë paraqiten në gjykatë”, bëjnë me dije nga Gjykata Penale.
Katër personave të tjerë të përfshirë në hetim, të cilët kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, gjykatësi i’u ka shqiptuar masën e kujdesit, gjegjësisht i’u është marrë dokumenti i udhëtimit dhe paraqitje në gjykatë. Që të katërt, gjatë natës dëshmuan në gjykatën penale.
Prokuroria publike, shqyrtohen raportimet ndaj Kovaçevskit
Nga prokuroria publike, gjithashtu thonë se janë duke shqyrtuar raportimet për ish kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ish sekretarin e përgjithshëm. Dyshimet ndaj tyre nuk kanë të bëjnë me vendimin kontestues të marrë në seancë qeveritare për llotarinë, pasi të njëjtën e ka kryesuar ish zëvendës kryeministri Artan Grubi.
“Pas gjitha veprimeve të ndërmara nga gjitha institucionet kompetente, deri më tani janë siguruar të dhëna të cilat flasin se gjashtë personat në fjalë kanë marrë veprime për vepra kriminale, e për të cilët u nis procedura. Për dy të tjerët, shqyrtimi vazhdon, e të cilët ngarkohen për një periudhë tjetër kohore dhe për veprime të tjera, e jo për seancën e qeverisë më 6.6.2023 kur është marrë vendimi, e të cilën e ka kryesuar tanimë i dyshuari”, thuhet në komunikatën e prokuroisë themelore Shkup.
Sipas akuzës personat e dyshuar kanë dëmtuar buxhetin për 501 milion denarë, nëpërmjet furnizimeve të jashtligjshme të dy mijë aparateve për lojra elektronike, e të cilat asnjëherë nuk janë vënë në funksion.
ERSAN PAJAZITI
